Tiranë, 3 mars 2014– Qeveria ka pezulluar konkurset për të gjitha vendet e lira të punës në administratë. Përmes një njoftimi zyrtar, Departamenti i Administratës Civile ka bërë me dije se deri në një afat të pacaktuar nuk do të zhvillojë procedura konkurrimi për vendet e lira të punës.

"Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të punësohen në administratën publike do të njoftohen në vijim mbi rregullat dhe procedurat e reja që do të duhet të ndiqen për këtë qëllim", thuhet në njoftimin e DAP. 

Departamenti i Administratës Civile ka shpallur konkurset për rreth 350 vende të lira pune në Kryeministri dhe në 15 prej ministrive. Vendet boshe të shpallura nga Departamenti i Administratës civile shtrihen thuajse në të gjitha hallkat e punës së dikastereve, duke nisur nga sekretarët e ministrive, për të arritur te drejtorët, përgjegjësit e deri te specialistët e niveleve të ulëta.

Jo më larg se një javë më parë qeveria miratoi kuadrin ligjor për mënyrën si do bëhet rekrutimi i punonjësve të rinj në administratë. Sipas një vendimi me këtë qëllim, rekrutimi i punonjësve të rinj në administratën publike do të bëhet një herë në vit. Çdo institucion  jo më vonë se tetori i çdo viti do të dërgojnë në Departamentin e Administratës Civile planin e rekrutimit të punonjësve të rinj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/