Tiranë, 28 shkurt 2014– Drejtuesit e taksive 8+1 nga i gjithë vendi, që një ditë më parë paralajmëruan protestë në kryeqytet janë përplasur fizikisht me forcat e policisë tek “Rruga e Elbasanit”. Policia ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve, që t’i parkonin furgonët në periferi dhe të hynin pa to në Tiranë. Një automjet i blinduar i policisë ka bllokuar "Rrugën e Elbasanit" duke mos lejuar kalimin e makinave.
Drejtuesit e furgonave kanë deklaruar se kjo qeveri sot po i hedh në rrugë, prandaj duhet të mendohet mirë për vendimin që kërkon të zbatojë. Shoferët e furgonëve 8+1 kundërshtojnë vendimin e qeverisë që u kërkon atyre të mos marrin pasagjerë në kthim.
Në mbështetje të protestuesve janë bashkuar edhe disa deputetë të Partisë Demokratike. Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 12.00 në në sheshin Nene Tereza në Tiranë dhe më pas grupi i protestuesve do të zhvendosej përgjatë bulevardit deri tek Ministria e Transporteve.
Prej disa javësh, drejtuesit e furgoneve kanë protestuar duke bllokuar dhe qarkullimin në akse të ndryshme rrugore në të gjithë vendin, në intervale të shkurtra kohore. Për rreth 20 mijë drejtues të taksive 8+1 në të gjithë vendin, vendimi i qeverisë që i ndalon të marrin pasagjerë në kthim është penalizues dhe rrezikon mbijetesën e familjeve të tyre.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





