Tiranë, 28 shkurt 2014 – Ministri i transporteve Edmond Haxhinasto i është përgjigjur negativisht kërkesës së drejtuesve të mjeteve 8+1 për të shfrytëzuar vendimin që ata të bëjnë bosh rrugën e kthimit. Gjatë një konference për shtyp, Haxhinasto theksoi se qeveria është e bindur të zbatojë ligjin ndërsa e ka cilësuar protestën e drejtuesve të furgonave si jo të drejtë. 

“Vetëm duke zbatuar ligjin të gjithë qytetarët mund të jenë të barabartë përpara tij, përpara mundësive për punë, përpara mundësive për mirëqënie. Pronarët e taksive 8+1 kanë një licensë taksie, ata nuk kanë një licensë për të zhvilluar transportin ndërurban. Ne do të vazhdojmë të zbatojmë ligjin. Taksitë do të jenë taksi dhe autobuzët do të jenë autobuzë”, tha Haxhinasto. 

Sipas ministrit, nëse pronarët e automjeteve 8+1 duan të vazhdojnë aktivitetin e tyre ata duhet të vendosin taksimetrin siç e përcakton ligji dhe të mos ndalojnë vend e pa vend për t’u mbushur gjatë rrugës. 

Pas deklaratës së ministrit të Transportit, Edmond Haxhinasto, që në emër të qeverisë u shpreh i vendosur për zbatimin e ligjit, protestuesit shprehen të vendosur të qëndrojnë në shesh. Kreu i Sindikatave të  Pavarura, Gëzim Kalaja i ka bërë thirrje kreut të qeverisë, Edi Rama për një takim mes palëve dhe arritjen e një pakti me sindikatën në emër të protestuesve. Ai ka deklaruar se protesta e sotme është vetëm fillimi. Protesta pritet të përshkallëzohet duke bllokuar të gjitha akset. Sipas Kalasë, Rama mund të nxjerrë tanket e të shtypë popullin e tij.

Drejtuesit e taksive 8+ 1 nga i gjithë vendi u nisën sot drejt Tiranës, për të protestuar kundër vendimit të qeverise që i ndalon ata të kthehen me pasagjerë në destinacion. Për rreth 20 mije drejtues të taksive 8+1 në të gjithë vendin, vendimi i qeverisë që i ndalon të marrin pasagjerë në kthim është penalizues dhe rrezikon mbijetesën e familjeve të tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/