DURRËS, 27 shkurt 2014 – Në selinë e institucionit të Prefektit të qarkut Durrës-Krujë, u zhvillua më 27 shkurt 2014, mbledhja e parë për vitin 2014 e Komitetit Rajonal Antitrafik dhe Tryezës Teknike të Qarkut të Durrësit. Ishte pranishme dhe Elona Gjebrea, zëvendësministre e Punëve të Brendshme dhe koordinatore kombëtare për çështjet e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Në fjalën e tij prefekti Rolant Xhelilaj përmendi se Komiteti Rajonal Antitrafik u riorganizua më 16 dhjetor 2013. Sipas Xhelilajt, Komiteti Rajonal Antitrafik ka luajtur një rol aktiv në parandalimin e trafikimit nëpërmjet identifikimit të problemeve parësore, vlerësimit të gjendjes dhe përcaktimit të nevojave specifike në nivel qarku.
Në mbledhjen e saj më 24 shkurt 2014 Tryeza Teknike mori në shqyrtim punën e bërë deri tani nga të gjitha strukturat pjesëmarrëse, analizoi planet e veprimit në funksion të Strategjisë Kombëtare Antitrafik si dhe evidentoi problematikat kryesore dhe prioritetet e të ardhmes. Nr. 2 i Ministrisë së Punëve të Brendshme dr. Elona Gjebrea vlerësoi punën e bërë në Durrës, por ajo shtroi disa detyra të reja, si dhe foli për një konceptim sa më të plotë të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Pastaj mbledhja vazhdoi pa praninë e medieve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





