Angli, 27 shkurt 2014 – Dy shtetas shqiptarë janë shpallur të humbur, pasi u hodhën në det nga një traget që po i deportonte nga Britania e madhe, ku ata kishin hyrë në mënyrë ilegale.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, në tragetin Stena Britannica, të linjës Stena Line, i cili ishte nisur nga brigjet e Harwich në Britaninë e Madhe dhe po shkonte drejt Hook të Holandës.
Një helikopter i policisë, forcat e kërkim- shpëtimit dhe ekipe të rojes bregdetare u vunë menjëherë në lëvizje, por deri tani kërkimet (në foto harta e zonës ku po realizohen kërkimet) kanë rezultuar të pa suksesshme, raporton BBC. Sipas korrespondentes Anna Holligan në traget ishin në total tetë emigrantë shqiptarë që po deportoheshin nga Britania në Hollandë, vendi nga ishin nisur për të mbërritur në brigjet e mbretërisë së bashkuar.
BBC bën të ditur gjithashtu se policia hollandeze ka ndaluar 11 persona dhe i ka marrë në pyetje për të zbuluar fijet e trafikut të qënieve njerëzore. Mësohet se grupi i shqiptarëve që po ktheheshin mbrapsht nga autoritetet britanike ishte kapur, ndërsa po tentonin të futeshin në Angli me një kamion mallrash të nisur nga Belgjika.
Policia britanike nuk ka bërë ende publik identitetin e dy shqiptarëve që u hodhën në det nga trageti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





