Tiranë, 27 shkurt 2014– Ish punonjës të administratës shtetërore, të larguar nga detyra, kanë zhvilluar sot një protestë përpara parlamentit, para nisjes së seancës plenare. Protestuesit u kanë kërkuar deputetëve zbatimin e ligjit të nëpunësit civil dhe rikthimin e tyre në punë. Shumë prej tyre mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Na mashtruat”, “Ku ma ke konkursin”, “Deputet mos shkel ligjin”.
Ish-punonjësit pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna. Nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave.
Protestës së ish-punonjësve të administratës u janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, Edi Paloka, Gent Strazimiri, Arben Ristani dhe Fatmir Mediu, të cilët janë shprehur se protesta është e drejte. Pasi kanë dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, deputetët e opozites ju kanë premtuar atyre se do ta ngrenë këtë shqetësim në seancën parlamentare.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ që shtynte hyrjen në fuqi të ligjit të ri të administratës, por ende mbetet e paqartë se ç'do të bëhet me të ikurit. Zgjidhja për këta të fundit duket se do të vijë vetëm nga Gjykata Administrative, e cila u jep zgjidhje konflikteve ligjore mes punonjësve të administratës dhe shtetit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





