Tiranë, 27 shkurt 2014 – Një person i pajetë është gjetur mëngjesin e sotëm në një automjet në afërsi të Liqenit Artificial në kryeqytet. Policia dyshon se bëhet fjalë për një vrasje, pasi në trupin dhe kokën e viktimës janë gjetur shenja dhune.

Ai është gjetur në automjetin e tij nga kalimtarë të rastit që kanë njoftuar policinë. Sipas policisë së kryeqytetit, 52 vjeçari Lutfi Peti ka qenë i shoqëruar dhe për këtë arsye grupi hetimor është përqendruar në zbulimin e identitetit të personit që ka qenë me të ndjerin.

Trupi i pajetë i 52 vjeçarit është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, që pritet të zbardhë shkaqet e vdekjes së Petit. Njëkohësisht po merren në pyetje familjarët e tij për të hedhur dritë mbi ndonjë konflikt të mundshëm të 52 vjeçarit.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/