Tiranë, 26 shkurt 2014– Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar rreth orës 10:00 në rrugën "Pjetër Budi", pranë Institutit të Higjienës në kryeqytet. Burime policore bëjnë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në hyrje të një lokali në aksin që lidh rrugën e Elbasanit me qytetin Studenti. Sipas policisë së kryeqytetit, nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur tre persona, personel i lokalit.
Policia dhe dy autoambulanca kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Ekspertë të policisë kanë nisur hetimet rreth ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që brenda lokalit të jetë vendosur një sasi e vogël tritoli.
Mësohet se lokali është në pronësi të biznesmenit Armando Ceka. Pronari i lokalit dhe të plagosurit e tjerë, Julian Çela dhe Artur Sharra, u dërguan menjëherë në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas mjekëve, Julian Çela dhe Armando Ceka janë në gjendje më të rëndë, ndërsa gjendja e të plagosurit Sharra është më e stabilizuar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





