Nga Gladiola BUSULLA

Që nga gjeneza, njerëzimi ka njohur  tragjedinë e së keqes, e cila përbëhet nga mosmirënjohja, ligësia, padrejtësia. Njerëzit u sfilitën të kuptonin rrënjët e saj, të shpjegonin shkaqet e saj. Sepse e keqja s’vepron në forma anonime, është e personalizuar, ka emër e mbiemër, kalon caqet e lirisë njerëzore. Sa herë mund të jemi treguar të ndrojtur në një ambjent të caktuar, ku simpatia kundrejt nesh, nuk shkëlqente dukshëm. Por nga ana tjetër, s’mund të mohojmë se cilido syresh, ka energjinë e mjaftueshme për të reaguar. Natyrshëm lind pyetja: sa pushtet real kanë vallë qytetaria, kultura, fisnikëria që t’i imponohen dukurive negative e të shëmtuara?!

Më ka bërë përshtypje një reflektim i Nënë Terezës” Jepi botës më të mirën dhe do të të zënë me shkelma. S’ka rëndësi! Ti bëje!”. Sigurisht që mesazhi  përmbyllës (derisa vjen prej saj) domosdoshmërisht do të inkurajojë të mirën, por për  intelektualët e vërtetë që sfidohen çdo ditë  nga  padrejtësia, paaftësia e dashakeqësia, nuk rezulton aspak optimist.

Të qenit korrekt dhe i ndershëm të bën automatikisht, më të butë dhe më tolerant. Ndërkohë, teksa  realizojmë objektivat e ngjisim shkallët me përulësi, gjithnjë e më tepër hasim miq të rremë e armiq të betuar.  Aq shumë ka penetruar skepticizmi brenda qëllimeve të mira, saqë dhe mirësia pa interes keqkuptohet nga të tjerët, e nuk mungojnë etiketimet pezhorative si hipokrit, egoist, ekzibicionist etj.

Sot gjithkush ëndërron të jetë dikushi. Ç’do të thotë, të jesh dikushi?! Pastaj, e pse duhet domosdoshmërisht të bëhesh i tillë?! Sepse për t’u bërë vërtet dikushi duhet fat, kurajo, vullnet. Mbi të gjitha, guxim për të mbijetuar i vetëm ndaj të gjithëve. S’duhet të trembesh, nëse askujt s’i intereson ajo që ti bën. Kushedi se sa duhet të presësh dhe në fund, ndoshta pas vdekjes, do të quhesh dikushi.

Por këtë detaj e kanë fshirë të gjithë nga memoria dhe praktika e të vepruarit. Nxitojnë drejt katapultimit dhe suksesit të madh. Numërojnë 3…5…7…13…, duke u zhveshur nga virtytet njerëzore dhe duke kapërcyer mbi  vlerat, kompetencën, sakrificat, moralin, ligjet e shkruara e të pashkruara.

Ndërsa qëndrestarët mjegullohen, e presin në cep; të shpërfillur, të lënë në harresë, të pavlerësuar, me parimin modest se “Jeta i ngjet tangos, dy hapa para e një pas”.

Shumëkujt mund t’i duken naivë. Por jo, s’janë të tillë! Thjesht spikasin për dinjitetin e tyre që s’i lë të rendin pas makinacioneve, servilizmave e intrigave për të arritur synimet.

Portokalli, njëri prej agrumeve më të përhapur në botë, përveçse ka efekte shumë të mira në aspektin mjekësor, meqenëse konsumimi i tij redukton rrezikun e tumoreve apo sëmundjeve të sistemit kardiovaskular; i atribuohen dhe konotacione filozofike.

Kam qenë gjithnjë e mendimit se kurrë, s’duhen humbur lidhjet me fantazinë. P.sh., të përfytyrosh se je një portokall në rrotullim dhe siç thuhet në “Kopshtin e të iluminuarve”, ngjyra e portokalltë simbolizon mirëkuptimin, urtësinë, ekuilibrin dhe ndikon pozitivisht në harmonizimin me mjedisin përreth. Aroma e lules apo frutit të portokallit zbut tensionin nervor, duke zgjuar dhe duke sjellë ngrohtësi e mirëqenie shpirtërore. Ndoshta, ju vjen për të qeshur. Sigurisht që jeni të lirë të qeshni, të përqeshni e të nënqeshni.

Ndërkohë, procesi i rrotullimit vazhdon. Teksa i nënshtrohemi kërkimit të së vërtetës, eksperiencave pozitive, dijes; misioni ynë bëhet më i plotë, më i vlefshëm, më vizionar.

Në fund, pasi kalon të gjitha etapat e rrotullimit, portokalli rikthehet në vendin e tij. Tashmë, leksionin e ka përvetësuar shumë mirë. Dhe ja, ku ia beh, çasti i shumëpritur i fitores. Po, po! Të jeni të bindur! Sepse bota është portokall!