Tiranë, 26 Shkurt 2014 – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po merr pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Në këtë ministerial do të diskutohen çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet në NATO si: situata në Ukrainë, ristrukturimi dhe reduktimi, pritjet e Aleancës nga Samiti i NATO që do të zhvillohet në Wells, Angli, më 4-5 shtator 2014; ndërtimi i kapaciteteve të Mbrojtjes; sfidat me të cilat përballet Aleanca në Afganistan, etj. Përsa i takon situatës në Ukrainë, Ministrat e Mbrojtjes të Aleancës, theksuan se NATO do të vijojë të jetë e angazhuar në bashkëpunimin me Ukrainën. Vlerësuan rolin e ushtrisë, e cila nuk u bë pjesë e konfliktit politik të brendshëm, si dhe nënvizuan edhe një herë rëndësinë e proceseve demokratike në një Ukrainë të pavaruar, të qëndrueshme dhe të angazhuar në drejtim të sundimit të ligjit.
Gjatë ditës së parë të punimeve, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, theksoi edhe një herë angazhimin e Shqipërisë si anëtare e Aleancës në të gjithë dimensionet, në shërbim të sigurisë globale dhe në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për një organizatë sa më të fortë dhe eficente. Po sot, ministrja Mimi Kodheli, pati një takim me znj. Francesca Tardioli, zëvendësasistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO.
Gjatë bisedës tejet të ngrohtë, ministrja Kodheli e njohu znj. Tardioli me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe u ndal veçanërisht tek reformat që janë të nevojshme të ndërmerren në fushën e mbrojtjes. Duke folur për emergjencat civile apo katastrofat natyrore, znj. Kodheli kërkoi mbështetje për përballimin e tyre. Nga ana e saj, znj. Tardioli kërkoi një vlerësim paraprak për nevojat që ka Shqipëria dhe garantoi ndihmë nga NATO. Në këtë kuadër, ministrja Kodheli i bëri me dije znj. Tardioli angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Një tjetër çështje në të cilën u ndalën bashkëbisedueset ishte edhe situata politike në Itali.
Znj. Tardioli tha se qeveria e re italiane ka një program ambicioz, si reforma elektorale, institucionale apo shmangia e burokracive. Në këtë pikë ajo vlerësoi fort rolin e presidentit italian, z. Giorgio Napolitano, në zgjidhjen e krizës.Ministeriali i Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO që po zhvillohet në Bruksel i mbyll punimet më 27 shkurt 2014.





