Tiranë, 26 shkurt 2014 – Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 26 shkurt 2014, miratoi një sërë vendimesh dhe projektligjesh të rëndësishme.
Në këtë mbledhje, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në përgjegjësi administrimi të disa ambienteve, nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit te Ministria e Financave, për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, sipas planimetrisë dhe formularit bashkëlidhur këtij vendimi.
Gjithashtu në këtë mbledhje, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e disa ndryshimeve në vendimin nr.791, datë 14.11.2012, të Këshillit të Ministrave,”Për miratimin e strukturës e të organikës, si dhe strukturës e të nivelit të pagave të Autoritetit të Avciacionit Civil”, të ndryshuar.
Qeveria, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2011 për projektin “Programi i mbrojtjes mjedisore të liqenit të Shkodrës”. Po ashtu, u miratua edhe vendimi për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin.
Qeveria, në mbledhjen e sotme, me propozimin e ministrit të Financave, bëri disa ndryshime në numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore, për vitin 2014.
Këshilli i Ministrave, miratoi gjithashtu edhe fondin e shpenzimeve për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin 2014, në shumën 259 500 000 lekë.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Mbështetje e integruar e ekonomisë dhe punësimit”. Po ashtu, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave vendosi edhe miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Nxitja e aftësisë konkurruese në zonat rurale”.
Në po këtë kuadër, Këshilli i Ministrave, vendosi miratimin në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Ruajtja e agrobiodiversitetit në zonat rurale të Shqipërisë”.
Në këtë mbledhje, Këshilli i Ministrave, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 62 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, vendosi përcaktimin e procedurës së vlerësimit të rezultateve në punë të nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura e njësitë e qeverisjes vendore dhe kompetencat për vlerësimin si dhe vendimin për përcaktimin e përmbajtjes, të afatit të miratimit e të mënyrës së bërjes publike të planeve të pranimit për institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, si dhe të procedurave të hollësishme për përgatitjen e miratimin e planit të përgjithshëm të pranimit për institucionet e administratës shtetërore.
Gjithashtu, në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave vendosi propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.138/2013, “Për burimet e energjisë së rinovueshme””, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.





