Tiranë, 26 shkurt 2014 – Policia e Tiranës ka zbardhur detaje nga shpërthimi i regjistruar në lokalin e biznesmenit të ndërtimit, Armand Ceka, paraditen e sotme në kryeqytet. Sipas policisë, shpërthimi mendohet të ketë qenë i telekomanduar dhe dyshohet të jenë përdorur rreth 500gr eksploziv. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm janë plagosur rëndë biznesmeni Armando Ceka, truproja e tij Artur Sharra dhe juristi Julian Çela.
“Më datë 26 Shkurt 2014, rreth orës 10.20 të rrugën Pjetër Budi në Tiranë ka ndodhur një shpërthim në ambjentet e një lokali. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë, u formua grupi hetimor në përbërje të të cilëve ekspert kriminalist, ekspert të lëndëve eksplozive, ekspert xhenier, të cilët po punojnë në drejtim të administrimit të provave materiale dhe hetimin e kësaj ngjarje.
Aktualisht ndodhen të plagosur në Spitalin Ushatarak Tiranë shtetasit Julian Cela, 23 vjec, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, Artur Sharra 46 vjec, dhe Armand Ceka 33 vjec, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në vendngjarje po kryen veprimet e para hetimore dhe proceduriale nga ku dyshohet se është lëndë plasëse e fuqisë normale plastike rreth 500 gr e telekomanduar. Materiali hetimor do t’i referohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë."- thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas dyshimeve të para, shpërthimi mund të ketë ndodhur pas një konflikti për motive pronësie, ndërsa dyshohet se eksplozivi mund të jetë komanduar me celular.
Biznesmenit Armando Ceka i është bërë atentat në mjetin e tij edhe në shtator të vitit 2013 në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, kurse ne muajin mars te vitit 2012, iu bë atentat ish-ortakut të tij Lorenc Teranaj, të cilit iu vendos tritoli në shtëpi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





