DURRËS, 26 shkurt 2014 – Financierët e Rajonit të Puljes kanë rritur forcën goditëse kundra trafikantëve shqiptarë të drogës. Kështu më 25 shkurt 2014, orët e para të mëngjesit, në qytetin Altamura të provincës së Barit, financierët arrestuan një çift shqiptaro (gruaja)- italian (burri), që e kishin shndërruar banesën e tyre në “stacion” për shpërndarje kanabisi. Si shqiptarja edhe italiani ishin dënuar disa herë për krime,që kanë lidhje me drogën. U arrestua gjithashtu edhe një adoleshent shqiptar 18-vjeçar, i cili u shërbente si shpërndarës droge me motoçikletë. Po më 25 shkurt 2014, në mbrëmje, Roja e Financës e rajonit të Puljes ndaloi në qytezën e Karovinjos së provincës së Brindizit një furgon të mbushur me kanabis, të paketuar në ballo të mëdha. U arrestuan dy italianë dhe një shqiptar. Gjatë kontrollit të banesës u gjet përsëri kanabis, duke e çuar sasinë e drogës së kapur në 477 kg. Të tre trafikantët u dërguan në burgun e Brindizit në pritje të procesit gjyqësor.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





