Durrës, 25 shkurt 2014 – Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një adoleshente i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i tetë i një pallati. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr.5 të qytetit bregdetar të Durrësit dhe viktima është 15-vjeçarja me inicialet G.SH. Pasi ka patur një debat në klasë paradite, ajo në gjendje të rëndë psikologjike ka shkuar në banesën e një shoqeje, ku i ka treguar historinë. Pasi i ka rrëfyer gjithë ngjarjen, adoleshentja ka marrë edhe vendimin drastik për t’i dhënë fund jetës. Ajo teksa ka dalë nga apartamenti i shoqes saj ka qëndruar në sheshpushimin e katit të tetë të pallatit, dhe është hedhur që andej. 15-vjecarja, nuk ka mundur t’i mbijetojë depresionit pas këtyre ngjarjeve dhe ka vendosur të marrë këtë akt të rëndë. Ky veprim i ka kushtuar jetën të resë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë. Këta të fundit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Trupi i pajetë i adoleshentes është çuar në morgun e spitalit të qytetit në pritje për t’u tërhequr nga familjarët.





