Durrës 25 shkurt 2014 –  Klubi i Teutës ka shkarkuar trajnerin italian, Roberto Sorrentino, si dhe përgatitësin e portierëve, Xhianluka Pavanelo. Lajmin e konfirmoi presidenti Edmond Hasanbelliu. “Bashkë me ortakun tim, kam vendosur që të shkarkoj trajnerin Sorrentino. Sigurisht, motivet janë rezultatet jo të mira që skuadra ka arritur së fundmi, pasi ne pretendojmë për të qenë kampionë. Gjithashtu, një arsye ishte edhe mospërshtatja e mentalitetit të tij me lojtarët tanë. Në këto kushte, vendosëm të zgjidhim me mirëkuptim kontratën. Gjithashtu kemi shkarkuar edhe trajnerin italian të portierëve. Nga stafi aktual ai që do ta vazhdojë punën është përgatitësi atletik, Marko Bankini”, – sqaroi presidenti Hasanbelliu, i cili e cilëson si zhgënjyese eksperiencën e tij të parë si president me një trajner të huaj. “Ishte hera e parë që kisha një trajner të huaj në skuadër, por më rezultoi dështim. Pati probleme, duke filluar nga mentaliteti, lojtarët e shumë gjëra të tjera”, – tha kreu i klubit durrsak. Nuk ka vonuar presidenti Hasanbelliu në emërimin e trajnerit të ri të skuadrës, duke ditur se është një moment deciziv i sezonit, si në kampionat, edhe në Kupën e Shqipërisë. “Timonin” drejtues të “djemve të detit” e ka marrë Ilir Daja, një emër i njohur i trajningut shqiptar, që ka provuar të drejtojë disa skuadra, si Elbasani, Dinamo, Besa. Në fakt, që dje në Durrës kishte qarkulluar ky emër si alternativa më e mundshme për pankinën e Teutës, por të martën në mesditë klubi durrsak ka zyrtarizuar gjithçka. Ish-trajneri i Teutës, italiani Roberto Sorrentino, grumbulloi vetëm 10 pikë në krye të skuadrës në 9 ndeshje të kampionatit që arriti ta drejtonte. Nga 27 të mundshme, 10 pikë janë shumë pak për një skuadër si Teuta, e cila synon titullin kampion. Sorrentino i la durrsakët në vend të pestë me 12 pikë më pak se Skënderbeu kryesues. Italiani erdhi me bujë në Durrës, pasi afro dy dekada më parë kishte punuar te klubi i Juventusit si ndihmës i trajnerit të famshëm Kur presidenti Hasanbelliu prezantonte Xhovani Trapatoni.

A.D agjencia e lajmeve Dyrrah