Durrës, 23 Shkurt 2014 – Amortizimi i sistemit të kanalizimeve dhe punimet që po kryhen së fundmi për ndërtimin e mbikalimit, në kryqëzimin e Shkozetit, kanë vështirësuar këto ditë qarkullimin e automjeteve në ish-zonën industriale të qytetit të Durrësit.
Reshjet e fundit e kanë shtuar sasinë e ujrave në rrugën ku kryqëzohen automjete të të gjitha tonazheve që mbërrijnë jo vetëm nga Durrësit e Tirana, por edhe nga jugu i vendit.
Kanë mjaftuar vetëm disa orë me reshje për ta rënduar përsëri situatën e lëvizjes në rrugët e dëmtuara, pranë këtij kryqëzimi shumë të rëndësishëm rrugor. Javët e fundit, këtu kanë rifilluar punimet për realizimin e projektit të mbikalimit, i cili pritet të ndryshojë rrënjësisht sigurinë dhe cilësinë e qarkullimit të automjeteve në këtë zonë, vetëm 2.5 km larg qendrës së qytetit bregdetar.
/ATSH-Gëzim Kabashi /





