Athinë, 24 Shkurt 2014 – Gripi stinor ka shkaktuar mbi 58 viktima në shtetin helen, ndërsa autoritetet janë në alarm se situata mund të përkeqësohet. “Është tragjike që për vaksinën që kushton vetëm 6 euro, të humbasin jetë njerëzore”, thekson Shoqata e Mjekëve të Athinës.

Sipas ISA, 40% e popullsisë që i përket grupit me rrezikshmëri të lartë, nuk arriti të vaksinohet për gripin stinor, pasi mjaft farmacistë deklaruan se sasitë e vaksinave që mbërritën në farmacitë e tyre ishin shumë më të vogla, nga sa ata kishin porositur dhe në të njëjtën kohë nuk u dërguan vaksina në njësitë e kujdesit parësor shëndetësor.

Shoqata e Mjekëve e cilëson si kriminale mungesën e politikës vaksinuese në Greqi, por edhe deklaratave të joekspertëve, të cilët vitet e mëparshme e terrorizuan popullsinë, me hipoteza të pabazuara shkencërisht mbi komplikimet e mundshme nga vaksinimi, gjë që i la mijëra qytetarë të ekspozuar në pandeminë e gripit. Autoritetet shëndetësore thonë se fluksi në qendrat shëndetësore, është i madh dhe virusi H1N1 po përhapet me shpejtësi të madhe.