DURRËS, 24 shkurt 2014 – 120 nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Durrësit morën pjesë këto ditë në kampionatin e katërt të pingpongut, që organizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve.
Përgjegjësi i sektorit të sportit, Arian Plaku, tha që ky edicion i kampionatit u organizua në mjediset e shkollës “Turgut Ozal” në Shkozet të Durrësit. Nxënësit pjesmarrës, përfaqësues të 16 shkollave publike dhe jopublike, u ndanë në tre kategori grupmoshash dhe zhvilluan mes tyre 74 takime gjithsej, deri në shpalljen e fituesve si për vajza edhe për djem.

Altea Zalla dhe Flamur Rexha u shpallën fitues për klasat e katërta dhe të pesta; Alba Xhupi dhe Erli Caprazi për klasat e gjashta dhe të shtata, ndërsa për kategorinë e klasave të teta dhe të nënta fitues u shpallën Liridona Rexha dhe Kevin Cela.

Sipas Plakut, shkollat “Bedrie Bebeziqi” dhe “Kushtrimi i lirisë”  u paraqitën më mirë se shkollat e tjera. Këtë edicion numri i pjesmarrësve dhe cilësia sportive ishte më e mirë, theksoi ai.

/ATSH-Gëzim Kabashi/