Deputeti Taulant Balla, reagoi pas mesazhit të Berishës për Timoshenkon.
Tiranë 24 shkurt 2014 – Ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili sot u kërkoi deputetëve të Partisë Demokratike të mbajnë një minutë heshtje për vrasjen e protestuesve në Ukrainë, i ka dërguar një mesazh ish-kryeministres, Julia Timoshenko.
Berisha vlerëson qëndresën e Timoshenkos në burg. “Vitet e burgut, torturat, sëmundja dhe mungesa e mjekimit kanë qenë tepër të mundimshme, por Ju, me qëndresën, sakrificat, martirizimin tuaj për së gjalli, u bëtë zëri i ndërgjegjes të kombit tuaj vigan, ukrainasve demokrate dhe liridashës, zëri i ndërgjegjes perëndimore të Ukrainës”, shkruan Berisha, raporton Shekulli.
“Qëndresa juaj epike u bë frymëzim i madh për heronjtë e këtij revolucioni që më sakrificën e tyre sublime përmbysën regjimin despotik dhe rikthyen lirinë e grabitur, dinjitetin e shkelmuar të qytetarëve të Ukrainës, vokacionin dhe të ardhmen e ndritur europiane të vendit tuaj të madh”, përfundon mesazhin ish-kreu i PD-së.
Ndërkaq deputeti i Partisë Socialiste, ka reaguar ndaj mesazhit të Berishës duke e krahasuar këtë të fundit me Victor Yanukovych.
"E para, Timoshenkos nuk mund t'i cojë një letër urimi një njeri si Sali Berisha, i cili ka vrarë protestues njëlloj si diktatori Janukoviç në Ukrainë. E dyta, Sali Berisha shumë vite Kryeministër nuk i çoji një letër në burg Timoshenkos dhe në asnjë institucion ndërkombëtar Sali Berisha nuk tha një fjalë të vetme për shtypjen e opozitës në Ukrainë", shprehet Balla.
/GazetaExpress/





