DURRËS, 24 shkurt 2014 –  Karabinierët e qytezës së Vilanovës, midis Astit dhe Torinos, neutralizuan një bandë hajdutësh shqiptaro-rome. U arrestuan Antoni Marsco, 50 vjeç, rom, dhe Franco Marino, 40 vjeç, rom, që të dy banues në kampe nomadësh. Në bandë bënin pjesë edhe dy shqiptarë: Fanol Çela, 34 vjeç, nga Kolonja e Lushnjës dhe Prend Marku, 41 vjeç. Gjatë kontrollit të “Audi”-t, ku gjendeshin katër të arrestuarit, karabinierët zbuluan një pistoletë “Berreta” kalibër 9 mm ( rezulton e vjedhur në dhjetor 2011) me fishek në gojë. U gjetën gjithashtu një palë targa false si edhe një komplet mjetesh për vjedhje (5 maska, 5 palë doreza plastike); 3 radio dore për ndërlidhje; bombola me gaz mbytës dhe krues, të ndaluara për përdorim nga civilët në Itali; leva; kaçavida; darë; dritë dore etj. Karabinierët dyshojnë se kjo bandë është përgjegjëse për mjaft vjedhje në zonën e Astit dhe të Kuneos. Karabinierëve u tërhoqi vëmendjen edhe diplomimi i Fanol Çelës në “Liceul Spiru Haret” të qytetit të Moineshtit në Rumani. Besohet se njohja e përsosur e gjuhës rumune e ka ndihmuar Fanolin të vendoste raporte bashkëpunimi edhe me banda keqbërësish rumunë.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/