· U sekuestruan 3 motoçikleta të vjedhura, artikuj të ndryshëm ushqimorë të vjedhur në dyqane si dhe i disa vegla e pajisje të përdorura për hapjen e qepenave të dyqaneve dhe ndezjen e motoçikletave
· Përvetësuan në Tiranë 12 motoçikleta, që i shitën në Durrës dhe Lushnjë
DURRËS, 24 shkurt 2014 – Të dielën, më 24 shkurt 2014, struktura për hetimin e krimeve në komisariatin e policisë së Durrësit finalizoi operacionin “Trekëndëshi”, që synonte goditjen e vjedhjes së pasurisë. U realizua zbardhja e dokumentimi me prova ligjore i një numri të rëndësishëm vjedhjesh të ndodhura në qytet nga një grup të rinjsh, me përvojë e njohuri të posaçme veçanërisht në vjedhjen e lokaleve tregtare nëpërmjet hapjes së qepenave të tyre si dhe vjedhjes së motoçikletave nëpërmjet një mekanizmi të prerjes së kabllove elektrike të tyre, vjedhje këto të realizuara në periudhën nëntor 2013-shkurt 2014.
JA KËRDIA NË QYTETIN BREGDETAR
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 23 shkurt 2014 u ndaluan Thanas P., 18 vjeç, banues në Pukë, i dënuar më parë për vjedhje; Edmir C., 21 vjeç, banues ne lagjen 16/1 Durrës; Martin V., 19 vjeç, banues në Kombinat Tiranë. Shërbimet e hetimit arritën të dokumentojnë me prova ligjore gjatë një hetimi tremujor se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin arritur të realizonin të paktën 11 vjedhje në Durrës dhe 12 në kryeqytet. Në qytetin bregdetar 8 raste janë përvetësime me thyerje të dyqaneve ushqimore (më 16 janar 2014 në rrethina të Plazhit, fshatin Shkallnur të komunës së Rrashbullit; më 24 dhjetor 2013 në lagjen 17/1; më 20 janar 2014 në lagjen 14/1; më 22 janar 2014 në lagjen 16/1; më 24 janar 2014 në lagjen 16/1; më 25 janar 2014 në lagjen 17/1; më 28 janar 2014 në lagjen 16/1; më 22 shkurt 2014 në lagjen 14 Shkozet). Tre raste të dokumentuara kanë të bëjnë me përvetësimin e motoçikletave (më 14 nëntor 2013 në lagjen 16/1; më 6 dhjetor 2013 të motoçikletës së F. G.; më 19 shkurt 2014 të motoçikletës së M. L.)
PSE “TREKËNDËSHI”
U sekuestruan 3 motoçikleta të vjedhura, artikuj të ndryshëm ushqimorë të vjedhur në dyqane si dhe i disa vegla e pajisje të përdorura për hapjen e qepenave të dyqaneve dhe ndezjen e motoçikletave. Është dokumentuar se ata kanë vjedhur në qytetin e Tiranës 12 motoçikleta, të cilat i kanë shitur më pas në qytetet e Durrësit dhe Lushnjës kundrejt vlerës 15 000-30 000 lekë. Ndërkohë produktet ushqimore të vjedhura janë shitur kryesisht në zonën e plazhit. Po punohet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këto vjedhje. Operacioni u kodua “Trekëndëshi” për shkak të trekëndëshit të veprimtarisë së këtyre shtetasve, të cilët vjedhjet e motoçikletave i realizonin në qytetet e Durrësit e Tiranës dhe shitjen në rrethin e Lushnjës personave të ndryshëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





