Tiranë 23 shkurt 2014 – Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, deklaron se veprimtaria ekonomike-financiare e familjes së Sali Berishës ngjan me një organizatë mafioze. Në një prononcim për gazetën “Sot”, Braho pohon se fëmijët e Sali Berishës duhet të hetohen urgjentisht për pasuritë e dyshimta dhe të pajustifikuara, pasi janë akuzuar për evazion fiskal, ndërhyrje në tendera dhe fshehje pasurie. Kreu i Komisionit të Sigurisë, theksoi se prokuroria shqiptare është kapur nga politika, duke shprehur dyshime lidhur me vënien para drejtësisë së fëmijëve të Berishës. “Janë ngritur këto vite shumë akuza në drejtim të familjes Berisha për pasuritë, për bizneset dhe aferat e fëmijëve të Berishës, të cilët kanë demonstruar një etje të paparë pasurimi veçanërisht në transaksionet me pasurinë e paluajtshme, tenderat dhe veprimet që kanë favorizuar evazionin fiskal. Karakteristika këto të klaneve mafioze. Të gjitha këto, qofshin edhe opinione, duheshin e duhen hetuar. Por, kush t’i hetojë? Prokuroria? E pamundur”, deklaroi Braho. 

Vënia e drejtësisë 

Kreu i Komisionit të Sigurisë, theksoi se hetimi dhe vënia para drejtësisë së familjes Berisha, do të mundësohet vetëm kur prokurorët të mos emërohen nga partitë. Në të kundërt, sipas Brahos, familja Berisha apo kushdo zyrtar që ka vënë pasuri në kurriz të popullit shqiptar, nuk do të vihet asnjëherë para drejtësisë. “Nuk është fjala a mundet ta bëjë këtë hetim z. Llalla. Çështja është më e thellë, nuk ka të bëjë me individë kushdo qoftë. A mund të prekë e të jetojë sot prokuroria apo kushdo prokuror qoftë një pushtetar të lartë dhe rrethin e tij familjar kur prokurorët heqin e vendosin partitë e pushtetit, madje me ndryshimet në Kushtetutë tani hiqen jo më me 3/5, por me 50 për qind të deputetëve. E ku kemi ne prokurorë kaq trima që në mëngjes shkojnë të hetojnë por, në darkë mund të shkojnë në shtëpi për të mos u kthyer më në detyrë. Ndaj, rrethi është bërë nga politika kaq vicioz sa të gjithë mbetën pa u hetuar. E pse të hetohet familja Berisha? Nuk kam asnjë iluzion se do ta hetojë dikush këtë familje apo familje të tjera. Duhet filozofi tjetër, struktura të tjera, kohë dhe njerëz të tjerë, çështje për të cilat nuk është rasti të zgjatem qysh e tek”, theksoi Braho.

Sipas tij, prokuroria dhe gjykatat janë të korruptuara dhe sipas tij, përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Braho shprehu nevojën imediate për një moratorium dhe një riorganizim të shpejtë të gjyqësorit, në mënyrë që ta vërë atë në efiçensë. “Nuk ka gjykata në Shqipëri. Këtu ka një korporatë të atyre që marrin rrogat për të bërë gjyqe. Gjendja dhe situata e gjyqësorit sot në Shqipëri, përbën një rrezik për sigurinë kombëtare. Nuk dua të bëj radikalin, por mendoj se një përmbysje apo një reformë e thellë në sistemin tonë të drejtësisë në përgjithësi dhe gjyqësori në veçanti, është imediate, e domosdoshme. Pse jo dhe deri në pezullimin e funksioneve që kryejnë KLD, si organi më inefiçent dhe më i korruptuar i sistemit të drejtësisë, po ashtu dhe i gjykatës së lartë apo gjykatave të tjera. Një moratorium për gjyqësorin dhe një riorganizim i shpejtë për gjyqësorin për ta vënë atë në efiçensë”, pohoi Braho. Joana Tafa

/Gazeta Sot/