23 shkurt 2014 – Kutia juaj postare nuk do të jetë më e njëjta pasi të lexoni këtë artikull. Një kompani me zyra në San Françisko (Streak) ka zhvilluar një funksionalitet shtesë, pa pagesë, për Google Chrome, e cila ka filluar të ndryshojë rregullat e lojës në e-mail: përmes saj mund të shikoni se kur e kanë hapur njerëzit e-mail-in që u keni dërguar. Përdorimi i funksionalitetit me një llogari në Gmail bën që dërguesit të njoftohet se kur është hapur e-mail-i dhe kush e ka hapur atë.Nëse kjo nuk ju vlen mjaftueshëm, Streak ju tregon edhe se nga ku është hapur e-mail-i. Ai ju paraqet një hartë, duke iu dhënë të dhëna reale mbi vendndodhjen e marrësit apo atyre që e kanë hapur e-mail-in.
Në momentin që një përdorues shikon një e-mail të dërguar me Streak, dërguesit do t’i shfaqet një ikonë në formë syri. Më pas, ajo ikonë do të ngjyroset me ngjyrë të gjelbër, duke e sinjalizuar dërguesin që e-mail-i është hapur. Marrësi nuk ka nevojë të ketë të instaluar funksionalitetin shtesë.
Nga ana tjetër, e-mail-i i dërguar nuk do ta vendosë në dijeni marrësin që posta po i gjurmohet. Streak në fakt nuk është i vetmi shërbim që e bën një gjë të tillë. Edhe Bananatag i njofton përdoruesit kur lexohet e-mail-i që kanë dërguar, por ndryshimi qëndron në faktin se ky shërbim është me pagesë.
Streak është projektuar për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët dhe ofron edhe mjete të tjera për shitjet, suportin, punësimin, skedulimin e e-mail-eve etj. Funksionon edhe me Gmail-in në Safari, si dhe me llogaritë Google Apps për bizneset. Aktualisht shërbimi është në versionin beta.
(PCWorld Albanian)
–





