- Urdhër arresti ndërkombëtar për dy shqiptarët e arratisur, mendohet se gjenden në Shqipëri
DURRËS, 23 shkurt 2014 – Gjykata e Viterbos (në foto) dënoi me 12 vjet burg kamionistin rumun, anëtarin e fundit të një bande shqiptaro-rumune, që merrej me prostitucion të organizuar. Bëhet fjala për dy minorene rumune, Livia dhe Ankuta, 16 dhe 15 vjeç. Ato sillen ilegalisht në Itali nga kamionisti rumun Damian Constantin Stelian (41 vjeç dhe me tre fëmijë), duke u premtuar se do të punonin në një piceri. Rumuni ua shet dy minorenet shqiptarëve, Samuel Koka dhe Artur Sulejmani, me çmim 2 000 euro secila. Në vend të punës në piceri, të dy minorenet përdhunohen vazhdimisht në grup. Ankuta ngel shtatzënë dhe e detyrojnë të kryejë abort klandestin. Me dajak detyrohen të prostituojnë, por të ardhurat që sigurojnë, nuk janë të mjaftueshme për Samuelin dhe Arturin. Fatmirësisht, kjo histori kriminale e vitit 2005 merr fund me ndërhyrjen e karabinierisë. Në vitin 2011 gjykata e Apelit i dënoi dy shqiptarët me nga 11 vjet burg secilit, njoftojnë mediet italiane më 23 shkurt 2014. Sipas policisë italiane, Koka dhe Sulejmani rezultojnë të arratisur, prandaj është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për ta. Mendohet se që të dy gjenden në Shqipëri.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





