DURRËS, 21 shkurt 2014 – Kapet një nga autorët e krimit makabër të djegies së dy kufomave. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se lidhur me ngjarjen e ndodhur në Shkozet, më datë 21 shkurt 2014, ora 18.30, u arrestua në flagrancë një tjetër shtetas, i cili dyshohet të ketë bashkëvepruar me autorin në asgjësimin e kufomave. Quhet Gazep Pili, 20 vjeç, banor i lagjes nr. 15 Durres, person me lidhje gjaku me bashkëshorten e Odise Verbofshit.
Djegia
Më 20 shkurt 2014, ora 22.07, salla operative mori njoftim se në lagjen nr. 14 Durrës po digjej një automjet. Menjëherë në vend u dërguan zjarrfikësit, të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. U konstatua djegia e veturës “Benz” me targa AA930DJ (nw foto). Brenda makinës, në bagazhin dhe sediljen e pasme, ndodheshin trupat e pajetë të dy shtetasve. Menjëherë grupi hetimor filloi kryerjen e veprimeve të para. Nga hetimet u identifikuan kufomat e Shaban Babasit, 27 vjeç, dhe Albert Kasallës, 32 vjeç, të dy banues në Fshat Fushë-Krujë.
Autori
Lidhur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan e pyetën në polici 36 persona që kishin dijeni mbi hetimet në fjalë. Puna intensive hetimore e ndërmarrë përgjatë gjithë natës dhe ditës së 21 shkurtit 2014 çoi këtë strukturë drejt identifikimit të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Odise Verbofshi, 32 vjeç (në foto), banor i lagjes nr. 14 Shkozet Durrës, i cili u shpall në kërkim dhe po me intensitet kanë vijuar e po kryhen kërkime për kapjen e tij në bashkëpunim të ngushtë edhe me policinë e rretheve të tjerë e policinë kufitare. Po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe mbi mundësinë e përfshirjes edhe të personave të tjerë në krim.
Si ndodhi
Nga tërësia e veprimeve të para të ndërmarra nga struktura për krimet e rënda, rezultoi se dy viktimat ishin vrarë paraprakisht me armë zjarri dhe më pas ishin transportuar për t’u djegur nga autori i ngjarjes së bashku me automjetin për të fshehur gjurmët e provave. Gjithashtu rezulton se vrasja e dy shtetasve ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së autorit në Shkozet, me pistoletë. Paraprakisht dyshohet se motivi i kësaj ngjarjeje është prishja e pazarit për kanabis. Krahas provave të tjera, në banesën (në foto) ku ka ndodhur krimi u sekuestruan edhe 74 kg kanabis, ndarë në pako, e stivuar në rafte në ambientet e banesës; 1 pistoletë “Ekol Special”, e kalibrit 9 mm; 1 pistoletë me krehër “Lady K Italy”, e kalibrit 8 mm; 1 krehër pistolete me një fishek në të.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





