DURRËS, 21 shkurt 2014 – Zbardhen detaje nga huaja prej 62 milionë e 500 mijë euro e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD – iniciale për: International Bank for Reconstruction and Development), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit në Durrës. Realizimi i këtij projekti do të ndihmonte në rritjen e kohës së furnizimit me ujë në këtë qytet nga 4 orë në 24 orë në ditë. Marrëveshja e huas është nënshkruar më 16 janar 2014 në bashkinë e Durrësit, në prani të Kryeministrit Edi Rama. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 12 shkurt 2014 u miratua vendimi për propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit”, që i ka kaluar Kuvendit të Shqipërisë. Sipas relacionit shoqërues, projekti i investimit në sektorin e ujit synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve (NUK) Durrës, si dhe përmirësimin e performancës financiare të saj. Projekti i investimit në sektorin e ujit në Durrës do të financohet tërësisht nga IBRD-ja, që do të mbulojë edhe vlerën e TVSH-së në zbatim të projektit, ndërsa kontributi i qeverisë shqiptare konsiston në përballimin e kostove të shpronësimeve përkatëse për projektin. Autoritetet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje janë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Financave.  Ja 4 komponentët e projektit.

LINJË E RE FURNIZIMI

Investime parësore për furnizimin me ujë, ku bën pjesë financimi i linjës së re të furnizimit, përfshirë një stacion të ri pompimi në Fushëkuqe. Linja e re do të përmirësojë shumë shërbimin e furnizimit të qytetit dhe zonës së plazhit. Gjithashtu, synohet përmirësimi i furnizimit me ujë i të gjithë zonës rurale, nëpërmjet ndërtimit të linjave të reja të transmetimit dhe rezervuarëve për çdo fshat.

RRJETI I KANALIZIMEVE

Synohet të përmirësohet dhe zgjidhet problemi i kanalizimit të ujërave të zeza të zonës së Durrësit, përfshirë edhe plazhin. Qëllimi kryesor është ndarja e sistemeve të ujërave të bardha nga kanalizimet dhe rehabilitimi i linjave kryesore të transmetimit, përfshirë stacionet e pompimit. Gjithashtu, do të mbulohen me rrjet kanalizimesh edhe zonat periferike informale, si dhe zona rurale.

PROGRAM MATJEJE

Zhvillimi institucional, fuqizimi i menaxhimit të kërkesës dhe fuqizimi i ndërmarrjes, nëpërmjet të cilit do të mbështeten politikat dhe reformat e qeverisë në sektorin e ujit. Këto reforma do të përfshijnë përgatitjen dhe zbatimin e një programi për monitorimin e kërkesës për ujë. Ky i fundit synon zbatimin e një programi matjeje për qytetin e Durrësit, duke përfshirë si klientët familjarë, ashtu edhe matjen në pikat e lidhjes në linjën kryesore, zbatimin e një fushate ndërgjegjësimi për mosshpërdorimin e ujit, mbështetjen e njësisë së monitorimit, pranë DPUK-së, asistencën teknike për mbështetjen dhe zbatimin e një modeli efektiv për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit etj.

PËRBALLIMI I SHPENZIMEVE

Komponent tjetër është ai i mbështetjes së zbatimit të projektit, nëpërmjet të cilit do përballohen shpenzimet e stafit dhe shpenzime të tjera operative të njësisë së zbatimit të projektit.

Info

BURIMET UJORE

Qarku i Durrësit furnizohet me anë të 13 puseve, shtatë puse nga të cilët ndodhen në pellgun ujëmbajtës të Fushë-Kuqes pranë shtratit të lumit Mat me një thellësi rreth 52-56 m dhe gjashtë puset e tjerë ndodhen në Basenin e Fushë-Krujës, me një thellësi rreth 60 m. Këto pellgje ujëmbajtëse garantojnë ujë cilësisht te pastër

LINJA E TRANSMETIMIT

Linja e transmetimit kryesor e cila shtrihet nga burimi i ujit në Fushë-Kuqe deri në qytetin e Durrësit ka një gjatësi rreth 45 km, me diametër DN 700 mm, e cila punon me anë të 12 pompave centrifugale me rotor të lidhura në seri që përcjellin ujë me presion 33 atm deri në qytetin e Durrësit. Linja tjetër e transmetimit kryesor, e cila shtrihet nga baseni i Fushë-Krujës, ka një gjatësi rreth 25 km, diametër DN 500 dhe 400 mm, i cili përcjell ujë deri në qytetin e Shijakut.

REZERVUARËT

Shoqëria zotëron gjithsej pesë rezervuarë me kapacitet total rreth 14,200 m3.  Për te zbatuar planin strategjik te shoqërisë për t’u garantuar qytetarëve të saj shërbim 24 orë ujë ne dite, shoqëria po planifikon të ndërtojë rezervuare të tjerë me kapacitet shtesë 14,000 m3.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/