DURRËS, 21 shkurt 2014 –  Çuditërisht, dy minoritarë grekë që vinin në portin e Durrësit nga ishujt britanikë dhe kishin kaluar nëpër Francë dhe Apenine, kishin fshehur 70 mijë sterlina dhe nuk ishin kapur, por në bien në duart e kufirit shqiptar. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se më 20 shkurt 2014, ora 22.30, struktura për hetimin në drejtorinë rajonale për kufirin dhe migracionin kreu veprimet e para hetimore në gjendje të lirë në ngarkim të V. V., 48 vjeç, banues në Londër, dhe N. M., 42 vjeç, banues në fshatin Drenovë Korçë, të dy me shtetësi greke. Rreth orës 11.30 këta udhëtarë u përzgjodhën për kontroll në momentin kur sapo kishin zbarkuar nga trageti i linjës Bari-Durrës në një “Volkswagen Passat”. Makina kishte targa angleze AJ55KYU dhe drejtues V. V.-në, kurse  N. M.-ja ishte udhëtar. Nga kontrolli në bagazhin e mjetit dhe konkretisht në pjesët anësore te parafangove, janë vërejtur disa pako të mbështjella me qese të zeze dhe transparente, ku u numëruan 70.050 stërlina angleze të padeklaruara. U sekuestruan automjeti dhe valuta, si dhe u kryen veprime të tjera procedurale. Udhëtarët e ardhur nga ishujt britanikë nëpërmjet Italisë, akuzohen për veprën penale të mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë. Gjithsesi, mbetet kureshtar fakti sesi dy grekët kishin mundur të t’ua hidhnin forcave ligj-zbatuese angleze, franceze dhe italiane.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/