• Kamioni me targa shqiptare ishte nisur nga porti i Durrësit
  • U sekuestruan 50 fuçi me 205 litra vaj secila si edhe 18 000 bidonë plastikë njëlitërsh po me vaj motorësh
  • Vlera e mallit të sekuestruar pa vlerën e kamionit 200 000 euro

DURRËS, 20 shkurt 2014 –  Roja e Financës e Palermos (Sicili), sekuestroi një kamion me vaj motori të importuar nga Shqipëria në mënyrë të kundërligjshme, njofton media vendase. Kamioni me targa shqiptare u ndalua nga financierët italianë në zonën e Mesina Marinës. Kamioni ishte nisur nga porti i Durrësit me destinacion një firmë italiane, e cila nuk kishte licencë për të importuar vaj motori. Në kamion u sekuestruan 50 fuçi me 205 litra vaj secila si edhe 18 000 bidonë plastikë njëlitërsh po me vaj motorësh. Vlera e mallit të sekuestruar pa vlerën e kamionit shkon në 200 000 euro. Është rasti i parë, që financierët italianë sekuestrojnë mallra kontrabandë (jo drogë) të ardhura nga Shqipëria. Vaji, që dyshohet i falsifikuar, ishte në ambalazhe të markës “Standard range”, prodhim i firmës së famshme franceze “Total”. Shoferi shqiptar dhe dy palermitanë shoqërues të kamionit u ndaluan nga financierët italianë. Dy palermitanët do të bënin shpërndarjen e sasisë së vajit në dyqanet e zonës. Të tre personat u paditën nga financierët italianë.

/gje. th. agjencia  lajmeve “Dyrrah”/