DURRËS, 20 shkurt 2014 – Durrsaku Albi Dosti ka qenë në ditë të mirë gjatë ndeshjes kundër Skënderbeut:“Zhvilluam një ndeshje të jashtëzakonshme, por që nuk ditëm ta menaxhonim mirë. Kishim raste të shumta për të dyfishuar rezultatin dhe të kthenim qetësinë. Jam tej mase i mërzitur dhe borxhli ndaj tifozërisë. Ata e kishin mbushur stadiumin si asnjëherë më parë vetëm se besonin tek ne. Nuk mundëm të fitonim dhe t’ua shpërblenim sikurse e meritojnë. Ndihemi borxhlinj ndaj atyre mijëra tifozëve që ndodheshin në stadium, por edhe një qyteti të tërë. I zhgënjyem dhe më vjen shumë keq. Kishim çdo gjë nën kontroll, por në sekondat e fundit dhe kur të gjithë e mendonin të mbyllur ndeshjen, erdhi ndëshkimi. Këto janë gjëra që ndodhin në futboll, por jo në atë ndeshje. Për ne ishte një ndeshje në të cilën fitorja duhej të arrihej me çdo kusht dhe një gjë të tillë e kemi kërkuar nga fillimi i takimit. Gjithashtu, kundërshtari kishte në plan të mbante tempin e ulët dhe të na kapte në kundërsulm.” Duhet thënë se kjo është një tjetër ndeshje që durrsakët e humbasin në minutat e fundit:“Me Skënderbeun ishte edhe finalja jonë dhe bëmë një paraqitje mjaft të mirë. Megjithatë kur shohim që kemi humbur pike në minutat e fundit na vjen keq. Shpresojmë që ky të ishte rasti i fundit. Ne në këtë sezon futbollistik kemi pasur gjithmonë si synim të dalim në Europë, por edhe Kupën e Shqipërisë. Sa i përket titullit, duhet që Skënderbeu të gabojë tre herë. Duket pak e vështirë, por po shohim një kampionat të çuditshëm. Nuk kemi alternativë tjetër veçse të përpiqemi të harrojmë një orë e më parë takimin me Skënderbeun dhe të përveshim mëngët, duke punuar fort. Kjo ndeshje nuk vendosi asgjë, veçse dëmtoi paksa Teutën. Prandaj, le të shikojmë përpara dhe t’i luajmë ndeshjet e mbetura sikur të jenë të gjitha finale. Kjo është e vetmja mënyrë për arritur diçka. Së pari, luajmë në Laç kur duhet të marrim një rezultat pozitiv, pastaj në mesjavë do të luajmë ndeshjen e kthimit të kupës ndaj Lushnjës, ku thuajse jemi në raundin tjetër. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë kundërshtarët, por përkundrazi të bëjmë një paraqitje të mirë. Ky kampionat ka treguar se çdo gjë është e munduar. E dimë vështirësinë që na pret në Laç, por Teuta ka një grup kualitativ që i bën ballë çdo kundërshtari. Shpresoj që kësaj radhe të kemi edhe pak fat, sepse në disa sfida jemi ndëshkuar atëherë kur mendonim se po merrnim fitore”, ka përfunduar Dosti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





