DURRËS, 20 shkurt 2014 –  Tani po vidhet edhe “uji i tërbuar”, kronika e zezë nuk përfshin vetëm pijanecë dhe pijetarë që bëjnë sherre, që ngasin makina xurxull, por edhe gjëra të rralla si përvetësimi i kazanëve, ku fermentohen rrush, kumbull, man etj. Dukej se pijet “moderne” janë më të parapëlqyerat sidomos për brezin e qytetarëve deri në 50 vjeç, kurse amatori i rakisë mund të konsiderohet “demode”. Por nuk qenka kështu. Jo vetëm në Skrapar, Gjirokastër, Devoll, Kolonjë, etj. por edhe në Shqipërinë e Mesme jeton ende nostalgjia për “rakinë bukuroshe / që më rri qoshe më qoshe”, sikurse ka ndodhur në fshatin e manastirit. Madje, rakisë të prodhuar në kushte shtëpie, në dallim nga ajo e kantinave industriale, i kanë vënë nofkën e makinës gjermane: BMV- demek “e bome vet”. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës njofton se gjatë natës së 19 shkurtit 2014 persona të paidentifikuar kanë vjedhur në bodrumin e banesës së shtetasit E. L. në Shën Vlash të komunës së Rrashbullit një kazan rakie dhe 90 litra “BMV”. Në fakt, çmimi i “BMV”-së cilësore arrin deri në 10 dollarë litri. Ndërkohë në oborrin e banesës së shtetasit M. L., banor i po këtij fshati, është “xhapur” një motor “Astra” pa targa. Gjatë kontrolleve motoçikleta u gjet e braktisur në Shkozet dhe u sekuestrua. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/