18 shkurt 2014 – Presioni i mafies së pronave në Tiranë dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme me kryeregjistruesin e përgjithshëm, kanë detyruar drejtoreshën e hipotekave në Tiranë të japë dorëheqjen e parevokueshme. Suada Bicaj, e propozuar vetëm disa muaj më parë në krye të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, ka dhënë dorëheqjen pas kërcënimeve të mafies së pronave dhe klanit mafioz të trojeve në kryeqytet. Znj. Bicaj, e cila kishte marrë përsipër të drejtonte një nga institucionet më të korruptuara në Shqipëri, nuk u ka rezistuar dot ndërhyrjeve dhe kërcënimeve. Konflikti dhe vala e presioneve ka ardhur menjëherë pasi drejtoresha e hipotekave ka ngritur një grup pune të brendshëm për dosjet e trojeve në Tiranë. Hetimi i titujve të pronësisë që janë pajisur pronarët e objekteve në kryeqytet ka tronditur “peshkaqenët” e pronave. Grupi i punës reflektonte udhëzimet dhe direktivat e kryeministrit Rama për të skanuar abuzimet e drejtorëve dhe bashkëpunëtorëve të Sali Berishës me trojet dhe titujt e pronësisë në kryeqytet, të konsideruara si një nga vatrat kryesore të korrupsionit dhe krimit ekonomik në Shqipëri. Por, menjëherë pas kësaj nisme, janë vënë në lëvizje klanet e mafies së pronave, teksa kanë nisur një ofensivë presionesh dhe kërcënimesh ndaj drejtoreshës. Ndërkaq, kjo e fundit mësohet se nuk ka gjetur as mbështetjen e drejtorit të përgjithshëm. Siç dihet, gjatë tetë viteve të qeverisjes së Berishës, hipoteka e Tiranës u kthye në një çerdhe korrupsioni, paligjshmërie dhe falsifikimi, ku janë tjetërsuar, grabitur dhe bllokuar troje me vlerë qindra milionë euro. Gjithsesi avazi vijon. Pas presionit të mafies së pronave, drejtoresha e hipotekave në Tiranë është tërhequr nga hetimi, ndërsa ka vënë në lëvizje Njësinë Antikorrupsion të Kryeministrisë. Por, ndërhyrja e Njësisë Antikorrupsion të Ministrave vetëm sa e ka përshkallëzuar më tej konfliktin, duke rrezikuar edhe përvijimin e një përplasje brenda koalicionit. Ndërkaq, në lojë ka hyrë edhe Ministria e Drejtësisë, nga e cila varet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Përplasje për dosjet e trojeve është kulmuar me dorëheqjen e drejtoreshës së Hipotekave. Vendimi ka ardhur pas kërcënimeve të vazhdueshme dhe mungesës së mbështetjes nga instancat më të larta. Njësia Antikorrupsion Vetëm disa javë më parë, Njësia Antikorrupsion ka filluar hetimin e gjithë titujve të pronësisë në zonën e përfolur të Gjirit të Lalëzit, aty ku janë vendosur një pjesë e pasurive të zyrtarëve të lartë. Kjo zonë është një nga zonat më të përfolura ku janë sistemuar me shtëpitë e dyta qeveritarët e qeverisë Berisha, të cilët kanë përfituar nga benefitet e pushtetit tetëvjeçar. Njësia Antikorrupsion, sipas një urdhëri të Edi Ramës, i ka kërkuar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive vënien në dispozicion të të gjitha titujve të pronësisë që janë pajisur pronarët e objekteve në këtë zonë. Në të njëjtën kohë me Njësinë Antikorrupsion është vënë në lëvizje edhe Policia Ndërtimore, e cila ka vënë në shoshë të gjithë dokumentacionin e fshatrave të ndërtuar në këtë zonë.
Adriatik Doçi -/Gazeta Sot/





