DURRËS, 18 shkurt 2014 – Në një njoftim shtypi bëhet e ditur se seksioni kundër korrupsionit në drejtorinë e policisë së shtetit të qarkut Durrës-Krujë realizoi më 18 shkurt 2014 një goditje kundër falsifikimit të dokumenteve për personat që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian. Për realizimin e këtij hetimi u bashkëpunua me drejtorinë e krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit si dhe task-forcën pranë prokurorisë së rrethit Durrës. Nga hetimet e kryera u arrit të zbulohet dhe dokumentohet se shoqata, të cilat kanë për objekt të punës së tyre trajtimin dhe zbutjen e problemeve të hakmarrjes e gjakmarrjes në vend, kanë keqpërdorur titujt që lëshojnë për vërtetimin e problemeve të hasmërisë, kundrejt përfitimeve si dhe kanë falsifikuar dokumente duke pajisur me vërtetime të rreme shtetas të ndryshëm. Bazuar në hetimin disamujor të ndërmarrë nga strukturat dhe provat e grumbulluara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendime penale të datës 18 shkurt 2014 përcaktoi masën e sigurimit personal arrest në burg pa afat për veprat penale të korrupsionit aktiv në sektorin privat dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim ndaj tre pajtuesve të gjaqeve. Ata janë Ndrec P., 61 vjeç, banues në Durrës, kryetar i Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar si dhe kryetar i Komitetit të Pajtimit për qarkun e Durrësit; Tom M., 70 vjeç, banues në Durrës, anëtar i shoqatës dhe ndërmjetës (sekser), i arrestuar më parë (janar të këtij viti) për armëmbajtje pa leje; Petrit N., 33 vjeç, banues në fshatin Arapaj të komunës së Rrashbullit, subjekt porositës dhe i pajisur me vërtetim të falsifikuar. Për llogari të hetimit u sekuestruan disa dokumente të falsifikuara, vërtetime të cilat në mënyrë jo të vërtetë paraqesin përfshirjen në konflikte të hakmarrjes e gjakmarrjes të personave të ndryshëm. Për një pjesë të këtyre dokumenteve personat kanë aplikuar për azil në vende të Evropës Perëndimore, ndërkohë që raste paraqiten edhe për në Kanada. Policia po bashkëpunon me autoritetet e këtyre vendeve në funksion anulimit të ecurisë së mëtejshme të procedurave të azilit për shtetasit me dokumente të falsifikuara. Krahas kryerjes së veprimeve procedurale vijon puna edhe në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





