U arratis nga arresti i shtëpisë në një qytezë afër Milanos dhe kërkohej “për mish lepuri” nga karabinierët specialë ROS të qytetit të Udines dhe nga drejtoria e hetimeve antimafia e provincës së Akuilas
DURRËS, 16 shkurt 2014 – Kavajasi Elton Hylviu i datëlindjes 1982 i kishte shpëtuar arrestit në kuadrin e operacionit “Hellenica”, gjatë të cilit u kryen 71 arrestime për trafik ndërkombëtar droge. Hylviu ishte arratisur nga arresti i shtëpisë, që e vuante në një qytezë afër Milanos, dhe kërkohej “për mish lepuri” nga karabinierët specialë ROS të qytetit të Udines dhe nga drejtoria e hetimeve antimafia e provincës së Akuilas. Karabinierët e qytezës së Cezenatikës në Rajonin e Emiljo-Romanjës e ndaluan për kontroll dhe identifikim natën e Shën Valentinit. Karabinierët patën dyshime për pasaportën bullgare, që u tregoi si mjet identifikimi Hylviu. Nga kontrolli i shenjave të gishtave në stacionin lokal të karabinierisë u zbulua identiteti i vërtetë i shqiptari me pasaportë bullgare. Elton Hylviu u dërgua menjëherë në burgun e qytetit Forli, ndërsa vazhdon hetimi i thelluar i personave, që ishin në të njëjtën makinë me të, kur u bë arrestimi i Hylviut. Kavajasi kishte disa precedentë penalë në Itali. Kështu ai më 8 shtator 2008, sipas autoriteteve italiane, ishte organizatori i një grup i prej katër të burgosurish shqiptarë(Bashkim Dervishi 43 vjeç, Robert Lusha 32 vjeç, Anton Stakaj 30 vjeç), të cilët në kulmin e muajit të Ramazanit rrahën Ramzi Katani-n, një i burgosur maroken integralist islamik, sepse nuk e pëlqenin zellin e tij fetar. Hylviu kishte gjithashtu edhe precedentë për armëmbajtje pa leje dhe për bashkëpunim me personazhe të spikatura të krimit italian si p.sh. Ciro la Sorte 42 vjeç, banues në qytetin port të Ravenës, raportojnë mediet vendase.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





