Tiranë, 15 shkurt 2014 – Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashki akuzoi kryeministrin për projektligjin e ri anti-kushtetues, i cili për demokratët sjell shkatërrimin e administratës dhe konsensusit historik Në  një deklaratë për mediat deputeti i PD-së, u shpreh se,

“kryeministri nuk heq dorë nga qëllimi i tij antikushtetues për të zhbërë me çdo kusht administratën publike dhe për ta mbushur atë me militantë socialiste. Qeveria e tij sapo ka miratuar në fshehtësi e pa asnjë konsultim, një projektligj, i cili kërkon të anulojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky projektligj është antikonsensus, sepse jo vetëm është gatuar pa asnjë konsultim publik dhe pa opozitën, por ai po ndryshon tashmë edhe vetë ligjin që u bë me konsensus një vit më parë. Me këtë akt, duke prishur një konsensus historik në të shkuarën, Kryeministri po  i vë minat përsëri konsensusit politik për të ardhmen”.

Deputeti Bylykbashi thekson se, ky projektligj është anti-reformë.

“Ai shkon kundër kërkesës së Komisionit Europian që reforma e miratuar në maj 2013 të zbatohet me shpejtësi. Atë që nuk guxoi ta bëjë në shtator, po e bën tani. Projektligji është anti-reformë jo vetëm sepse kërkon të shtyjë përsëri hyrjen në fuqi të ligjit, siç bënë me aktin normativ antikushtetues, por prish standardet e ligjit të hartuar me ekspertizë dhe asistencë të BE-së dhe të miratuar me konsensus më 30 maj 2013. Qëllimi i vetëm është që të kenë dorë të lirë në  militantizimin e saj”.

Bylykbashi tha se, ky projektligj është antikushtetues dhe antiligj.

“Ai cënon të drejtat e fituara tashmë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të drejtat e mijëra nëpunësve të larguar dhe të mijëra të tjerëve që presin me ankth të largohen. Qeveria po mban peng hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është pa precedent! Kjo është fyrje dhe përbuzje për Gjykatën dhe vendimet e saj. Kjo është shkelje e ligjit që e detyron ta botojë vendimin sa më parë. Por kjo është dhe dhunim i Kushtetutës që detyron botimin”,

u shpreh deputeti i PD. Duke iu përgjigjur pretendimet të qeverisë se mundon aktet nënligjore, Bylykbashi tha se,

“tashmë, ra alibia se mungonin aktet nënligjore ndaj dhe duhej shtyrë ligji. Ndryshimet e reja do ta shtyjnë akoma më tej miratimin e këtyre akteve nënligjore. Ndërkohë asnjë akt nënligjor nuk është miratuar deri më tani, ndonëse premtuan se do t'i miratonin deri në janar. Për turp të vet, Kryeministri nxori ministren kushërirë që të akuzojë opozitën se nuk bashkëpunoka. Opozita nuk bëhet pjesë e konsultimeve farsë, për t'i vënë vulën e njomë çorbës që ka gatuar Kryeministri.  Për noter të bindur, Kryeministri ka mazhorancën e tij të bërë më vota e mandate deputetësh të blera”.

Opozita, tha Bylykbashi, nuk do të tërhiqet në betejën me këtë Kryeministër antiligj. Ne jemi të sigurt se do të fitojmë sepse po luftojmë për parimet e shtetit të së drejtës. Ai ftoi çdo shqiptar që beson në demokraci të vijë më 20 shkurt në marshimin e protestës, që në Shqipëri të mos ketë më buste diktatorësh.