Lajmi e fotot nga Gëzim Kabashi (ATSH)
DURRËS, 14 Shkurt 2014 – Komedia “Loja e dashurisë dhe rastësisë”, do të jetë premiera e parë e vitit, që shfaqet më 14 shkurt 2014 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në ditën e të dashuruarve. U vu në skenë nga regjisori Hervin Çuli, i sapoemëruar drejtor i Teatrit Kombëtar të Tiranës pas konkurrimit. Komedia, e shkruar në fillim të shekullit të 18-të, nga komediografi francez Pjer de Marivo (Pierre de Marivaux, 1688-1763), bashkë me moralin në shoqëri, rikthen dhe skenat e keqkuptimeve të një komedie gazmore. Një vizitë me qëllim fejese në familjen fisnike Ordo dhe vendimi i saj për të njohur të vërtetën në synimet e pretendentit, venë përballë njeri tjetrit gabimisht çiftet e shërbyesve dhe dinjitarëve, në veshje krejt të kundërta. Regjisori Çuli nuk i është larguar stilit klasik si në dekorin e punuar nga Noset Shijaku, ashtu edhe në lojën e aktorëve, pa harruar t’u japë mundësinë e interpretimit sipas shkollës “comedia dell’arte”. Asgjë nuk del nga skena për më shumë se dy orë, edhe aktorët mbeten gjithashtu në pritje të ndërhyrjeve të tyre. Aktorët Adelina Çuli dhe Besmir Bitraku, në rolet e Silvias dhe Dorantit, mbajnë peshën kryesore të shfaqjes, ndërsa në një pentagram krejt tjetër, prezantohen Arlekini i Xheni Famës, shumë gazmor e i këndshëm, dhe shërbyesja Lizetë, interpretuar nga Era Çaushi, tepër e vendosur në qëllimin e saj. Shfaqja plotësohet nga Marko Bitraku dhe Amos Zaharia, përkatësisht në rolet e z. Ordo dhe të Marios. Duke nisur që nga kjo fundjavë premiera “Loja e dashurisë dhe rastësisë” do të jetë në skenën e teatrit të Durrësit për disa javë radhazi.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
.jpg)





