Merrte pjesë edhe Rejçel-i (Rachel) e martuar me një shqiptar nga qyteti i Durrësit. Bashkëshorti i Rejçel-it e ka parë të birin vetëm në skype dhe nuk ka mundur të hyjë më legalisht në Mbretërinë e Bashkuar për të jetuar me familjen e vet. Histori e dhembshme e ngjashme me familjen Danushi
DURRËS, 14 shkurt 2014 – Më 14 shkurt 2014 dhjetëra gra angleze, të veshura me fustane nusërie, organizuan një protestë përballë katedrales së Shën Palit në Londër. Protesta u organizua nga OJQ-ja angleze “WE ARE A FAMILY”. Ato protestojnë kundër një ligji që ka hyrë në fuqi një vit e gjysmë më parë. Sipas këtij ligji, gratë angleze, që martohen me shtetas joanglezë, nuk kanë të drejtë ta marrin burrin në Angli, nëse nuk kanë të ardhura minimumi 18 600 stërlina në vit. Ky ligj u a nxin jetën rreth 17 000 çifteve, ku gruaja është angleze, ndërsa burri është shtetas i huaj. Në protestë, ndër të tjera, merrte pjesë edhe Rejçel-i (Rachel) e martuar me një shqiptar nga qyteti i Durrësit. Bashkëshorti i Rejçel-it e ka parë të birin vetëm në skype dhe nuk ka mundur të hyjë më legalisht në Mbretërinë e Bashkuar për të jetuar me familjen e vet. Gazeta “Daily Mail” ka zbuluar dhe një rast tjetër të dhembshëm: Edmond Danushi, 30 vjeç, erdhi në Britani 12 vjet më parë, por i është refuzuar leje-qëndrimi i përhershëm. Është i gozhduar në Shqipëri, ndërkohë që familja e tij jeton në Sauth Ist të Londrës. Nuk e ka takuar të bijën fëmijë dhe i ka nisur Ministrisë së Brendshme britanike një kërkesë (në fotot nga e majta në të djathtë 4 fëmijët: Aalissia, Keiren, Eli dhe Aaliyah dhe laptop-i me skype-in). Një tjetër protestuese Ana (Hannah), ndonëse me gradën rreshter në ushtrinë angleze, madje ish-pjesëmarrëse në kontingjentin anglez në Afganistan, nuk mund ta marrë në Angli bashkëshortin e vet, sepse fiton më pak se 18 600 stërlina në vit. Nuk bëhet fjalë për burrë nga vendet e botës së tretë apo nga vendet ish-komuniste. Bashkëshorti është qytetar amerikan i lindur në Amerikë nga prindër qytetarë amerikanë. Kuptohet në këtë rast ligji, që aplikohet me qëllim të evitimit të martesave false për të hyrë legalisht në Angli, thjesht është një nonsens, sepse shtetasit amerikanë nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.
/përgatiti gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





