Nga Gladiola  BUSULLA

Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. 

Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë… 

(Fragment nga“Himni i dashurisë i Shën Pavlit “)

13 shkurt 2014 –  Të dashuruarit në të gjithë botën presin të festojnë Shën Valentinin. Që nga më tradicionalistët e deri tek më antikomformistët, të gjithë e njohin shenjtorin e sakrifikuar më 14 shkurt 273, me urdhër të Perandorit Aureliano.

Kjo ditë që përkujton dashurinë, nxit shpresën për të konsoliduar një raport të ri apo për të rimëkëmbur një të humbur. Për disa çifte të martuara apo që bashkëjetojnë dhe janë bërë padashje pre e rutinës dhe e stresit, Shën Valentini mund të jetë një moment i ëmbël arratisjeje nga monotonia. Kështu mund të përforcohen motivet e lidhjes dhe vendimit për të jetuar së bashku e të rindizen shkëndijat e dikurshme.

Natyrisht nuk është obligim festimi i Shën Valentinit, por dhe s’mund ta injorosh krejtësisht. Besoj se sakrifica e shenjtorit meriton pakëz më shumë respekt dhe përkushtim. Kur tjetri ju bëhet më i vlefshëm se vetja, kur sakrifikoni veten për të –kjo është dashuri. Kur  tjetri bëhet qëllimi, kjo është dashuria. Ky është lajtmotivi i vërtetë i kësaj dite, refreni i  brezave, që vijnë e ikin nga kjo Tokë e vjetër dhe e shenjuar nga fati i të dashuruarve.

Mund t’i lini një shije të pashlyeshme partnerit duke i dhuruar një ditë ndryshe. Nuk është e thënë të udhëtosh drejt Venecias apo të shpenzosh shuma marramendëse për të kënaqur të dashurin/ën. Në të vërtetë, dhuratat lakmitare e cytin përdëllimin dhe  e shndërrojnë dashurinë,  në një kakofoni komerciale.

Shpeshherë janë detajet ato që e sjellin ndryshimin, sepse detajet përbëjnë thelbin e kujtdo prej nesh. Ndonjëherë për çiftet dhe të qëndruarit vetëm, pa fëmijët, mund të konsiderohet luks; një picë e thjeshtë, një shtrëngim dore, një përhumbje në krahët e të dashurit apo një puthje e papritur, për të vazhduar sipas mundësisë me gjithçka që mendoni se mund ta bëjë të lumtur, personin tuaj të zemrës.

Mos harroni diçka! Dashuria është një privilegj, një vlerë, një dhuratë hyjnore dhe si e tillë meriton të gjitha vargjet, të gjitha këngët, të gjithë plotësinë. Po të hulumtojmë në thellësinë tonë do të gjejmë dashurinë, e po të kërkojmë akoma më thellë, do të gjejmë Zotin vetë.