Në faqen e parë të RD-së artikulli “Siguracionet, nga 65 mijë lekë me Berishën, tani 210 mijë lekë” shoqërohet me reklamat e 5 nga 8 kompanitë gjithsej në Shqipëri që kanë rritur çmimet: Albsig, Intersig, Eurosig, SIGAL, SIGMA
DURRËS, 13 shkurt 2014 – “Siguracionet, nga 65 mijë lekë me Berishën, tani 210 mijë lekë”, ky është një nga titujt e faqes së parë të gazetës së opozitës “Rilindja Demokratike” më 13 shkurt 2014. Dhe, si për t’i vënë kapakun këtij fakti, faqja e parë shoqërohet me reklamat e pesë nga tetë kompanitë gjithsej në Shqipëri që kanë rritur çmimet: Albsig, Intersig, Eurosig, SIGAL, SIGMA! Del që kompanitë e sigurimeve financojnë opozitën dhe Berishën për t’u mbrojtur nga qeveria aktuale. Vetë shkrimi “Siguracionet, nga 65 mijë lekë me Berishën, tani 210 mijë lekë” ka kundërthënie. Nga njëra anë u bën reklamë kompanive, të cilave u merr paratë e majme, nga ana tjetër i sulmon: “Shoqëritë e sigurimeve në vend kanë rritur çmimin e siguracionit të detyrueshëm të mjeteve motorike brenda një ditë në 21 mijë lekë. Trefishimi i çmimit të sigurimeve për makinat ka irrituar edhe qytetarët”. Sulmon INSIG-un, drejtorin e të cilit e ka emëruar PD-ja. Sulmon Autoritetin e Konkurrencës, kryetarja e të cilit është emëruar nga PD-ja. “Dyrrah”-u po boton një fragment nga shkrimi dhe ka bërë faksimilet e faqes së parë të RD-së.
Info / Fragment nga artikulli i RD-së, 13 shkurt 2014
Ja çfarë thuhet në këtë artikull: “Shqiptarët po përballen me një tjetër rritje të kostos së tyre të jetesës, duke u përballur me rritjen deri në 3 herë të siguracionit të detyruar të makinave. Shoqëritë e sigurimeve në vend kanë rritur çmimin e siguracionit të detyrueshëm të mjeteve motorike brenda një ditë në 21 mijë lekë. Trefishimi i çmimit të sigurimeve për makinat ka irrituar edhe qytetarët, të cilët kanë mbetur të habitur kur janë vënë në dijeni të këtij fakti. Të njëjtat çmime po aplikon edhe kompania shtetërore e sigurimeve INSIG [drejtori ekzekutiv Tomorr Kalaja, që u shkarkua nga këshilli mbikëqyrës, u emërua nga ish-Ministri i Financave Ridvan Bode dhe ish-Kryeministri Sali Berisha – “Dyrrah”]. Në këtë kaos është përfshirë Ministria e Financave dhe Autoriteti i Konkurrencës [kryetare është Prof. Dr. Lindita Milo (Lati), e zgjedhur nga ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli – “Dyrrah”]. Tregu i sigurimeve rezulton të jetë me anomali të theksuara, pasi luhatja e çmimeve nuk bazohet në argumente ekonomike, por në tendencën e kompanive për të zotëruar sa më shumë treg. Sipas ligjit aktual në fuqi, tarifat e sigurimit të automjeteve janë të liberalizuara. Çdo kompani duhet të ofrojë tarifat në proporcion me tregun që ka, çka do të thotë se çmimi nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjitha kompanitë. Në përgjigje të kësaj, drejtuesit e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në një takim me drejtuesit e kompanive janë shprehur se, kompanitë duhet të rrisin tarifat e sigurimit të automjeteve, në mënyrë që të mund të përballojnë koston e dëmeve të krijuara nga aksidentet. Në të gjithë këtë katrahurë, ata që e pësojnë janë qytetarët. Rritja e çmimit të karburantit dhe rritja e tarifave të sigurimit kanë krijuar vështirësi të reja këtë vit. Por, të tilla situata më shumë se zgjidhin problemin, bëhen shkak për nxitje të informalitetit në treg”.
/agjencia lajmeve “Dyrrah”/





