* Kërbaçi/ Kryetari de jure i PDSH detyrohet të kërkojë përmirësimin e gjendjen e partisë në rrethin bregdetar, e cila ka pësuar shumë rrudhje, duke shkuar deri në kërcënime për zëvendësime në drejtimin e grupseksioneve
* Kulaçi/ Nevojiten marshues për 20 shkurtin: mesazhi nga Durrësi rrezonon për të gjitha degët. Mobilizim maksimal për sheshin “Skënderbej”
DURRËS, 13 shkurt 2014 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ftuar më 12 shkurt 2014 nga teatri “Aleksandër Moisiu” të gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e marshimit të PD më datë 20 shkurt për t’u ngritur kundër paligjshmërisë, arbitraritetit, rritjes së çmimeve, rënies së ekonomisë në recesion, kundër shtypjes, mjerimit dhe mashtrimit. Gjatë një takimi me simpatizantë të Partisë Demokratike në Durrës, Basha foli edhe për procesin e hapjes së PD ku theksoi rëndësinë e pranimeve të reja në parti. “Direktiva ime është e qartë dhe pa ekuivok: bashkim dhe ribashkim pa asnjë paragjykim i gjithë kontributeve nëpër vite, hapje e partisë për pranime të reja nga brezi i ri, por pa i mbyllur derën askujt që dëshiron të anëtarësohet në PD. Një PD pa historinë e saj është pa shtyllë kurrizore. Një PD pa brezin e ri është pa të ardhme” tha Basha.
EVIDENTIMI I ANËTARËSISË
Basha tha se u mendua të zhvillohej takimi në aktivin e degës në Durrës “për ta shtrirë në takime të ngjashme në degë të tjera të ndryshme të Partisë Demokratike në Shqipëri, për të diskutuar së bashku mbi ecurinë e deritanishme të fazës së parë, asaj të evidentimit të anëtarësisë dhe anëtarësimeve të reja, për të parë nga afër si po zbatohen udhëzimi dhe direktivat e dhëna”. Kreu i PDSH-së bëri një kompliment nga halli: “Në lidhje me fushatën e anëtarësimeve, përshëndetje pikë së pari të rinjve e të rejave në këtë podium dhe besoj se jeni pjesë e kontributeve të para të fushatës së anëtarësimeve për të cilat jam informuar nga drejtuesit dhe koordinatorët këtu në degën e Durrësit, konstatoj me kënaqësi të madhe se anembanë Shqipërisë puna ka nisur me vrull dhe në tërësi, po shkon shumë mirë”.
KËRCËNIME PËR SPASTRIME
Basha detyrohet të kërkojë përmirësimin e gjendjen e partisë në Durrës, e cila ka pësuar shumë rrudhje, duke shkuar deri në kërcënime për zëvendësime në drejtimin e grupseksioneve: “e gjithë anëtarësia e PD-së në vite, anëtarët aktivë dhe anëtarë që për një arsye a tjetër kanë qenë pasivë, janë tërhequr, janë mënjanuar, janë larguar jashtë vendit dhe janë kthyer, duke humbur ndërkohë anëtarësinë formale në Partinë Demokratike, duhet të kontaktohen, të ftohen, të sqarohen për udhëzimin e ri, të nxiten e të ndihmohen për të rinovuar dokumentacionin e anëtarësisë në Partinë Demokratike. Nuk duhet të ndodhë dhe nuk duhet të dëgjoj që mbledhjet e njohjes me udhëzimin dikush të mungojnë sepse nuk është lajmëruar nga neglizhenca apo më keq, me qëllim. Atij apo asaj që nuk i ka shkuar njoftimi i parë për neglizhencë i duhet kërkuar falje menjëherë dhe menjëherë duhet përfshirë në aksionin politik që kemi nisur. Kur verifikohet se mosnjoftimi është bërë me qëllim, të mbahet qëndrim deri në zëvendësimin e menjëhershëm të koordinatorëve në rang grupseksioni apo të personit përgjegjës që është ngarkuar të bëjë njoftimet”.
VETERANË DHE TË RINJ
Kreu de jure i PDSH-së dha një direktivë: “bashkim dhe ribashkim pa asnjë paragjykim i gjithë kontributeve nëpër vite, hapje e partisë për pranime të reja nga brezi i ri, por pa i mbyllur derën askujt që dëshiron të anëtarësohet në Partinë Demokratike. Ky bashkim jetik, ky rikthim në partinë e tyre, në shtëpinë e tyre i kontributeve politike në vite, ky vlerësim për themeluesit, qëndrestarët dhe anëtarët pa përjashtim, ky afrim i brezit të ri me PD-në u realizua në formë festive gjatë përvjetorëve 23-vjetorit të degëve që nisën pas përvjetorit të Tiranës këtu në Durrës dhe që i kremtuam në të gjitha degët e vendit. Tani është koha që ky bashkim duhet të marrë jetë në formën institucionale, duke u bërë të gjithë pjesë aktive e strukturës politike nga niveli i seksionit në nivelet e tjera të parashikuara në statutin e partisë tonë. Kjo do të jetë një punë e matshme, sikurse do të jetë e matshme puna për pranimet e reja. E thashë më sipër e për fat të mirë sot jo vetëm e themi, por edhe e konstatojmë dhe shohim këtu në podiumin e aktivit të Durrësit. Ka një dëshirë të madhe të të rinjve dhe të rejave për t’u anëtarësuar në Partinë Demokratike”.
FURÇE
Lulzim Basha organizoi aktiv në Durrës, pasi i nevojiten marshues për 20 shkurtin. Fillimisht bëri furçe: “Jam i bindur se procesi që ka nisur dhe po vazhdon në rrugë të mbarë, do të marrë impulse të reja pozitive nga ky aktiv dhe përmes punës së këtij aktivi për degën e Durrësit dhe padyshim që ky është një mesazh që nga Durrësi rrezonon për të gjitha degët, grupseksionet dhe seksionet e partisë tonë anembanë Shqipërisë”. Fjalimin e mbylli me thirrje: “paralelisht me angazhimin tuaj i kërkoj aktivit të Durrësit dhe aktivit të degëve anembanë Shqipërisë mobilizim maksimal për të derdhur në sheshin historik “Skënderbej” më 20 shkurt fuqinë e madhe njerëzore të qytetarëve të lirë që do të protestojnë bashkë me ne më 20 shkurt, jo me kokën pas, por me kokën para”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





