· Në Tiranë do të pritet nga homologu i tij Ilir Meta, i cili ka kontakte miqësore personale me mjaft figura të rëndësishme të arenës politike të këtij shteti të Lindjes së Mesme
DURRËS, 12 shkurt 2014 – Nabih Berri politikani veteran libanez, kryparlamentar dhe shef i Amal-it, partia më e madhe Shiite në Liban (13 deputetë, ndërsa Hezbollahu ka 12 deputetë) do të vizitojë Shqipërinë në kuadrin e një turi në disa vende evropiane dhe arabe, njoftoi portali “naharnet.com”, që i referohej gazetës “al-Joumhouria” dhe agjencisë qendrore të lajmeve. Të premten Kryeparlamentari Berri do të fillojë turin e vizitave nga Kuvajti. Më pas ai do vizitojë Iranin, Gjermaninë dhe Shqipërinë. Në Shqipëri do të pritet nga homologu i tij Ilir Meta, i cili ka kontakte miqësore personale me mjaft figura të rëndësishme të arenës politike të Libanit. Kryeparlamentari Berri gjatë vizitës së tij në Shqipëri pritet të takojë eksponentë të pozitës dhe opozitës. Krahas Tiranës, zyrtari i lartë libanez do të vizitojë edhe qytetet e Durrësit dhe Krujës (në këtë fundit është edhe fabrika e çimentos ish-shtetërore e privatizuar nga grupi libanez “Seament”, që ka blerë edhe fabrikën e çimentos në Elbasan, kurse në portin e Durrësit, “Seament”-i ka depozitë për çimenton e papaketuar).
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





