DURRËS, 12 shkurt 2014 – Përvojën e tyre në përdorimin e lëndëve shpërthyese për të kryer vepra penale, keqbërësit shqiptarë po e pasurojnë edhe në “Çizme”. Dy shqiptarë, M. O. 19 vjeç, por shumë i aftë, gjakftohtë dhe i pamëshirshëm, në bashkëpunim me M. S. 31 vjeç, kishin grabitur me dhjetëra bankomate në rajonin e Puljas dhe të Kampanjës në Itali. Ata përdornin sasi të vogla eksplozivi plastik të markës “Nobelex”, prodhim turk për të shpërthyer bankomatet. Eksplozivi pajisej me fitil zjarr-përcjellës, për t’i dhënë kohë hajdutit të largohej para shpërthimit. Pas çdo grabitjeje, dy shqiptarët largoheshin menjëherë duke përdorur makina të vjedhura me cilindratë të madhe. Për të mos rënë në sy të policisë, këto makina i ndërronin shpesh. Besohet se pas disa përdorimesh, makinat e vjedhura “eksportoheshin” ilegalisht në Shqipëri. Dy shqiptarët e arrestuar përfunduan, njëri në burgun e Rexhina Koelit të Romës dhe tjetri në burgun e Torinos.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





