DURRËS, 12 shkurt 2014 –  Metalet me ngjyra kuotohen me çmim të lartë në “tregun” e skrapit, gjë që ka nxitur grabitjen e zbarrave, paneleve, bronzit, telave të aluminit, bakrit, zinkut sidomos në impiante elektrike. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 11 shkurt 2014 ora 11.30, u arrestuan Jetmir D. dhe Mirjan Dedaj, të dy të moshës19 vjeç dhe Ismail D., 18 vjeç, të afërm me njëri tjetrin, nga fshati Xhafzotaj. Blutë thonë se u kapën duke vjedhur tela bakri në antenat e radiostacionit në perëndim të fshatit Rreth, komuna e Xhafzotajt (ose, sikurse njihet në zhargon, radiostacioni i Shijakut; shih foton satelitore). Iu gjetën dhe sekuestruan sendet e vjedhura, si dhe një palë pinca, një palë gërshërë, doreza, materiale tjera që shërbenin për prerjen e telave. Ndërkohë u shpallën në kërkim, si bashkëpunëtorë të treshes së prangosur, edhe dy kushërinj, Kastriot T., 31 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj dhe Adriatik T., 23 vjeç, banues në Shkozë Tiranë. Organet e rendit thonë se është dokumentuar se edhe këta, në kohë të ndryshme, gjatë periudhës fundvit 2013-fillimvit 2014, kanë kryer edhe disa vjedhje të tjera në këtë transmetues me valë të shkurtra. Më 12 janar 2014 dyshohet se vodhën 540 metra linearë tel bakri, sasi që e kanë shitur në një pikë grumbullimi skrapi në Tiranë, ku dhe më 20 dhjetor 2013 kanë shitur 500 metra linearë tel bakri. Forcat ligj-zbatuese thanë se këto ngjarje pa autor po hetoheshin prej tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/