DURRËS, 12 shkurt 2014 – Karabinierët e qytetit të Urbinos (Itali), me anë të operacionit të quajtur “Brown Sugar” (në zhargon: heroinë), neutralizuan një bandë shitësish droge me pakicë dhe shumicë. Sipas trendit të kohëve të fundit, banda ishte ndërkombëtare: me anëtarë shqiptarë, rumunë dhe italianë. Anëtari me moshë më të re ishte shqiptari Xhelian Çe[l]meta vetëm 18 vjeç, student, i cili qysh në moshën 7 vjeç jetonte në Itali me dokumente të rregullta. Ai kishte rol kyç në përbërje të bandës prej gjashtë personash, përkatësisht tre italianë, një shqiptar dhe një rumun, të gjithë të arrestuar. Ata u arrestuan jo vetëm për shpërndarje droge, por edhe për grabitje, zhvatje dhe kërcënime me jetë. Ata shisnin heroinë, hashash dhe kokainë me pakicë dhe shumicë në disa qytete italiane si Urbino, Rimini, Aosta, Macerata Feltria etj. Me qëllim që të kapnin një seksion sa më të madh të tregut të shpërndarjes së drogës, anëtarët e grupit pranonin të shisnin drogë edhe pa para në dorë duke pranuar si peng motoçikleta të shtrenjta, makina me cilindratë të madhe apo t’i përdornin klientët e tyre si nënkontraktues në shpërndarjen e drogës. Në rast mospagese ata ushtronin dhunën e hapur, kërcënimet madje edhe të tilla si marrje organesh për t’i shitur në tregun e zi të organeve. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e të arrestuarve, krahas drogës, parave, policia sekuestroi dhjetëra telefona celularë, laptop, tablet (I Tabs), doreza hekuri, shkopinj bejsbolli, thika tip komandoje, dy makina me cilindratë të madhe dhe një motoçikletë të shtrenjtë.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





