DURRËS, 11 shkurt 2013 – Një ditë e veçantë për miqësinë midis gazetarëve, ky ishte thelbi i një nisme interesante e reporterëve vendorë të “kërthizës” së Shqipërisë. Dega e Unionit të Gazetarëve të Elbasanit, në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë dhe shoqatën “Ress-Egnatia”, me mbështetjen e kompanisë “Kurum-International”, më 10 shkurt 2014, organizuan veprimtarinë kombëtare “Dita e Miqësisë” në Elbasan. Kështu, u vendos, me sistem rotacioni, që 10 shkurti të festohet në çdo qark. Ishin ftuar 150 gazetarë, analistë, opinionistë, intelektualë nga i gjithë vendi. Ishte prekës dhe fakt që drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Elbasanit kishte zbrazur sheshin afër hotel turizmit, duke e vënë në dispozicion të automjeteve të përfaqësueseve të medieve. Me një organizim të shkëlqyer, nën drejtimin e kryetarit të degës së Unionit, gazetarit të shquar Besim Dybeli, u bisedua në një bar ekzotik, të rrallë për nga përshtatja e monumentit të kulturës, sikurse është kalaja, u bë një vizitë pune në mjediset e kompanisë “Kurum” dhe në fund u shtrua një drekë në një restorant pranë Metalurgjikut. Në fjalën e hapjes mikpritësit, duke falënderuar Krum-in për mbështetjen, vunë në dukje se kjo nuk do të thotë se gazetarët e Elbasanit nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë edhe në të ardhmen kritikë ndaj këtij investitori të rëndësishëm. Përshëndetën edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë,
Aleksandër Çipa, si dhe kryetari i Bordit të KURUM International Sh.a. Dr. Zeki Kaja (Kaya). Ky i fundit deklaroi se kompania është e hapur ndaj medieve dhe për problemet që ngrihen dhe premtoi për një bashkëpunim edhe në të ardhmen. Disa degëve të Unionit, përfshirë edhe atë të Durrësit, iu shpërndanë certifikata për frymën e bashkëpunimit që kanë. 4 përfaqësuesit e Durrësit u ftuan në tavolinën e tij nga drejtori i përgjithshëm i Terminalit të Kontejnerëve Sha Mesut Janar (Yanar), i cili premtoi të jetë i hapur me gazetarët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





