Durrës, 11 shkurt 2014 – Teuta u konsiderua një skuadër që bëri disa përforcime shumë interesante në janar, por si çdo prurje e re i duhet dhënë koha e mjaftueshme për t’u përshtatur e për të arritur rezultate finale të rëndësishme. Teuta nuk bëri një ndeshje të madhe në Shkodër megjithatë me pak kujdes mund të merrte tre pikët. Ajo që ra në sy është fakti që trajneri ende nuk ka fiksuar një dyshe sulmuese. Xhoel, Xhafaj, Kalu dhe Sampo kanë bindur në mënyrë të pjesshme aq sa është e vështirë të thuash se kush është dyshja ideale. Për të gjithë ka një shpjegim, madje edhe për Xhafajn që i është bashkuar skuadrës vetëm disa ditë përpara fillimit të pjesës së dytë të sezonit. Nga ana tjetër ajo që bie në sy është një Dosti gjithnjë e më shumë në rritje. Ky është një futbollist tek i cili Teuta ka besuar shumë ndër vite dhe mesa duket, tanimë po i afrohet optimales. Ai ka dy ndeshje që po luan në nivel të kënaqshëm dhe kjo ndoshta ka ardhur nga fakti që mesfusha është përforcuar me Bathën dhe Dosti ka më shumë hapësira në fazën sulmuese. A është Tetua për titull? Këtë nuk e thotë dot askush derisa matematika ia lejon, por objektivi primar i këtij klubi është konsolidimi i titullarëve dhe blerjeve në një kohë shumë të shkurtër. Pse jo duke filluar nga ndeshja e radhës kundër Skënderbeut. Ndërkaq dje trajneri Sorrentino ka zhvilluar një stërvitje të plotë me futbollistët e tij, duke i dhënë më shumë rëndësi formacionit me të cilin do të luajë në transfertën e fundjavës ndaj Skënderbeut. Për këtë ndeshje, durrsakët pritet të mos kenë mungesa, çka do t’i japë mundësinë teknikut që të hedhe në fushë nga minuta e pare edhe formacionin e tij më të mirë. Ndërkohë që përballja ndaj Skënderbeut po pritet me mjaft interes edhe nga tifozët e Teutës, të cilët parashikohen të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit. Në dy javët e fundit të kampionatit, Teuta ka arritur të shënojë 7 gola dhe të pësojë vetëm 3. Durrsakët kanë realizuar 6 gola me Lushnjën dhe 1 me Vllazninë.

/ agjencia e lajmeve "Dyrrah"