DURRËS, 11 shkurt 2014 –  “Sebepi i sherrit është femra”, vazhdon “telenovela” LSI-KQZ për kandidaturat në qarkun e Durrësit, që do të zëvendësojnë ministrin Lefter Koka. Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka “gjetur belaja” me femrat bregdetare, teksa, pas zonjave Silvanë Maksuti dhe Meritë Kuçi, jep dorëheqjen edhe Klodjanë Pashkaj. Femra e katërt, por emri i fundit, i 13-i, në listën e LSI-së është Ermirë Koçi. Në fillimjavë, më 10 shkurt 2014, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi, me katër votat e anëtarëve të pranishëm, t’i japë mandatin e deputetit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), në Qarkun Durrës, Ermira Koçi. “Për vendet sipas kuotës gjinore të listës shumemërore për çdo zonë zgjedhore, në listën shumemërore të LSI-së në Qarkun Durrës rezulton se kandidatja nga gjinia më pak e përfaqësuar, e cila renditet pas znj. Klodjana Pashkaj, është kandidatja me numër rendor 13 (trembëdhjetë), Ermirë Përparim Koçi”, thuhet në relacionin e KQZ-së. “Gallatë” është se, nëse edhe Ermira jep dorëheqjen, radha e zëvendësimit realizohet me burrat në listën e deputetëve. Pas Kokës, i dyti vjen Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Por, meqë është ministër, z. Panariti nuk bëhet dot deputet. I bie të jetë krutani, inxh. Bujar Derveni. Nëse e kanë sinqerisht me politikat barazisë gjinore, udhëheqjes s ëlartë të LSI-së u mbetet të punojnë me Ermirën që të mos japë dorëheqjen. Por edhe Bujari i duhet LSI_së për vota në rrethin e Krujës. Mbetet të shihet se kush do të fitojë: parimi apo pragmatizmi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/            .