TIRANE, 10 shkurt 2014 – Në 4 vite, qeveria ka programuar të vërë në dispozicion të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë 81 milionë dollarë. Shifra vjen përmes kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017, ku specifikohet se për tri vitet e ardhshme qeveria do të vërë në dispozicion të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve përkatësisht 2 miliardë, 2 miliardë dhe 2,3 miliardë lekë, ndërkohë që për vitin 2014 është parashikuar të përdoret një fond prej 1.8 miliardë lekësh (në total 8,1 miliardë lekë, përafërsisht 81 milionë dollarë). 
300 milionë dollarë 
Ndërsa llogaritet që fatura për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve të epokës së komunizmit të jetë në total përafrisht 300 milionë dollarë, me këto ritme procesi do të zgjasë për më shumë 10 vite të tjera. Numri i personave që kanë aplikuar për t'iu njohur statusi i ish-të dënuarit politik është 23 mijë në total, ndërkohë janë në shqyrtim të vazhdueshëm të Ministrisë së Drejtësisë, e cila miraton aplikime të reja me t'u plotësuar dokumentacioni i nevojshëm. Në total, deri tani u është njohur e drejta e dëmshpërblimit thuajse 12 mijë personave. Pjesa më e madhe e tyre kanë përfituar këstin e parë dhe të dytë të dëmshpërblimit. Janë tri autoritete përgjegjëse nga të cilat varet miratimi i dosjeve të aplikantëve. Ministria e Drejtësisë, autoriteti përgjegjës që shqyrton kërkesat, Këshilli i Ministrave,autoriteti përgjegjës i cili miraton vlerat e dëmshpërblimeve, dhe Ministria e Financave, që shlyen pagesat. 
Këstet 
Ministria e Mirëqenies Sociale, ka njoftuar se këtë vit do të nisë shpërndarja e kësteve të prapambetura për ish-të përndjekurit politikë. Sipas saj, për shpërndarjen e fondit prej 18 milionë dollarësh do të veprohet siç është vepruar me pagesa të tjera të ndihmës ekonomike, ose aftësisë së kufizuar, në mënyrë solidare, duke u dhënë prioritet atyre që nuk kanë marrë një këst. Ministria gjithashtu ka sqaruar se po kalkulohet mosha e të përndjekurve, për të bërë të mundur që fillimisht të disbursohen ata që janë në një moshë më të thyer. 
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në total, të regjistruara në librat e hyrjes pranë Ministrisë së Drejtësisë gjatë periudhës 30.01.2008 – 17.05.2011, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar janë afërsisht 20584 dosje, që përfshijnë të gjitha kategoritë e ish-të përndjekurve politikë. Konkretisht: lloji i dënimit burg/kapital të ish-të përndjekurve politikë përafërsisht 12.200 dosje; lloji i dënimit Vrasje pa Gjyq të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 2000 dosje; lloji Internim/në tela me gjemba/ Dëbim të ish-të përndjekurve politikë – përafërsisht 6300 dosje (nga të cilat rreth 2243 ish-të dënuar që kanë vuajtur internim/ në tela me gjemba, rreth 4057 ish-të dënuar kanë vuajtur internim/dëbim, kategori kjo e cila do të rregullohet me skemë pensioni nga Ministria e Financave).

 / Gazeta Shqiptare /