Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi
DURRËS, 3 shkurt 2014 – LSI vs USA? Fundjava e gjeti Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, një nga liderët e LSI-së, Edmond Haxhinasto, në nyjën më të madhe të transporteve në vend, në Durrës, posaçërisht në port, që Departamenti amerikan i Shtetit e projektoi në vitin 1998 si “Portën e Korridorit 8 dhe Paktit të Stabilitetit”, kurse pas 14 vjetësh qeverisja e sotme e synon ta shndërrojë në port kroçerash.
TURI DURRSAK I ZËVENDËSIT TË OLLBRAJTIT
Me të hyrë mijëvjeçari i dytë, më 29 janar 2000, ditë uikendi (e shtunë) në kalatën lindore të portit detar të Durrësit ndodhi një ngjarje e veçantë. Ditën e parë të vizitës së tij treditore në Shqipëri, zëvendësi i legjendares Madlen Ollbrajt (Madeleine Albright), nënsekretari i shtetit i SHBA, Thomas R. Pickering, bëri një tur durrsak (“synoj të kuptoj pozitën dhe rolin e Durrësit, si ‘kryeqyteti’ i Paktit të Stabilitetit”, tha zyrtari i lartë i Uashingtonit). Pasi vizitoi trupat e NATO-s në “Brukselin” shqiptar, Plepa, erdhi drejtpërdrejt në portin e Durrësit,”Koka e Korridorit VIII”, të cilin qeveria amerikane e konsideroi “element kyç në planet e zhvillimit të infrastrukturës në Shqipëri [a key element in Albania’s infrastructure development plans]”. Pastaj shkoi te policia kufitare, u ndal në Bashki, bëri shëtitje më këmbë pa eskortë në Rrugën Tregtare. Vizita Pickering-ut në Shqipëri ishte pjesë e udhëtimit të tij në disa vende të rajonit që kishte të bënte me çështje të tregtisë dhe sigurisë, thuhet në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit. Dhe vajtjen në NATO dhe portin e Durrësit e realizoi para se të takonte Presidentin e atëhershëm të Republikës Rexhep Meidani, Kryeministrin Ilir Meta, ministrin e jashtëm Paskal Milo dhe udhëheqësit e opozitës (theksojmë se z. Pickering, ndonëse zyrtarisht është në pension, merr pjesë aktive në politikë-bërjen e administratës Obama. Në të paktën dy raste atij i janë ngarkuar detyra shumë të rëndësishme dhe delikate. Kështu z. Pickering u emërua kryetar i panelit hetues të ngritur nga Departamenti i shtetit për të investiguar rrethanat tragjike të vrasjes nga terroristët islamikë në Bengazi të ambasadorit amerikan në Libi, të ndjerit Stevens. Ky hetim kishte rëndësi të madhe për luftën e brendshëm politke në Amerikë, sepse figura të tilla ikonike të republikanëve si senatori Mc Cain, ligjvënësi Gingrich etj e bënë këtë vrasje kalë beteje në debatet e tyre me demokratët duke “kërkuar’ edhe kokën e Sekretares së shtetit Hillari Klinton).
STUDIMI I FIZIBILITETIT
Le të kthehemi në kalatën lindore. Aty po prisnin Pickeringun e shoqëruar ambasadori Joseph Limprecht (1947-2002), Ministrja shqiptare e Transportit Ingrid Shuli (shih foton bardhezi, marrë nga shtypi i kohës), drejtorët e portit dhe hekurudhave. Shuli e ka ndier veten ngushtë kur funksionari i lartë amerikan u interesua për gjithçka lidhej me portin, kalatën lindore, projektet e zhvillimit. Pickering-u, i cili ishte njohur me studimin e fizibilitetit për ndërtimin në kalatën lindore të një terminali multimodal kontejnerësh (shih faksimilen e kopertinës së studimit), financuar nga administrata amerikane me një grant 500 mijë dollarësh. Firma njujorkeze që kishte fituar tenderin e studimit, parashikonte që në harkun e viteve 2000-2025, ky terminal në Durrës që do të lidhte Bregun Lindor të Botës së Re me detin e Zi dhe Azinë dhe Evropën veriore (shih hartën), ku do të thithej trafik prej mbi 80 shtete të botës, do të kishte një kapacitet prej mbi 2 milionë njësish kontejnerësh në vit.
GLOBALIZMI DHE MIOPIA
Ishte një vështrim global, që nuk e rroknin dot me mendjet e tyre mediokre Majkoja, Meta, Nanoja, Berisha dhe së fundi ndoshta edhe Rama. Për më tepër, ky terminal, si porta hyrëse e Korridorit VIII pan-evropian, një lendbrixh (“landbrigde” anglisht: urë tokësore) do të luante rol me rëndësi të jashtëzakonshme në stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë. Vështrimi amerikan kërkonte në mënyrë të ngutshme impenjimin e qeverive shqiptare për terminalin në kalatën lindore, rikonstruksionin e hekurudhës Durrës-Guri i Kuq, nga andej, Maqedonia dhe Bullgaria do të bënin lidhje me shina në boshtin Lindje-Perëndim. Në po atë takim të 14 vjetëve më parë, Pickering-u sugjeroi lëvizjen e depozitave greke të karburanteve, që ende rrinë në këmbë, duke kufizuar portin, falë miopisë së Majkos, indiferencës së Metës, lobimit të Nanos, korruptimit të Berishës, që e sabotoi përfundimisht duke ndërtuar një terminal të vogël kontejnerësh, që ia dha një kompanie, e cila nuk ka haber nga deti.
“INTERNIMI”
Fiks 14 vjet më vonë, më 1 shkurt 2014, vjen në port Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z.Edmond Haxhinasto, dhe bën deklarata të habitshme si : “Shpresoj që të mos jetë e largët dita që porti i Durrësit të shndërrohet në një port kryesisht turistik, kroçerash e jahtesh, ndërsa porti i Shëngjinit të jetë port i përmasave evropiane, ku të përpunohen kontejnerë, minerale, mallra gjenerale”. Haxhinasto, që është jashtë profilit në ekonominë e transportit, mendon se është ende në fushatë elektorale, teksa premton për një port gjigant në Shëngjin, duke parë ëndrra “kineze” me sy hapur. Nëse amerikanët duan të thithin nëpërmjet Durrësit trafikun e kontejnerëve në të gjitha portet e Adriatikut, “internimi” i kontejnerëve në Shëngjin, është një aventurë që i kushton ekonomikisht Shqipërisë dhe dëmton rëndë interesat e “Dajë Samit” aleatit tonë strategjik. Nga ana tjetër, mungesa e sigurisë për investime kineze në Shëngjin dhe paaftësia turke në menaxhimin e terminalit ekzistues të kontejnerëve (i parashikuar para 14 vjetësh si terminal i përkohshëm), është në interes të porteve malazeze, kroate, italiane, që mund të dilnin jashtë loje nëse realizohet në kalatën lindore terminali multimodal i kontejnerëve, por Berisha ua fali gjermanëve terminalin lindor me procedura të paligjshme.
GARANCI SOVRANE
Është për t’u vënë në dukje se pala kineze nuk ka probleme të investojë 2,3 apo edhe 4 miliardë euro në infrastrukturën shqiptare (porte, hekurudhë, rrugë etj), por kërkon paraprakisht garanci sovrane. Berisha edhe në ditët më të vështira të vetat, kur i duheshin me patjetër para dhe prerje shiritash për fushatën elektorale të vitit 2013 nuk guxoi t’u jepte kinezëve garanci sovrane për hua të tilla. I kujtojmë ministrit Haxhinasto se mbreti Zog, vetëm në kushtet e krizës së tmerrshme botërore të viteve 1929-1933, u dha italianëve garanci sovrane me lënie peng të të ardhurave nga monopoli i duhanit dhe doganave, në këmbim të marrjes së këstit të radhës të huas së SVEA-s (Societa per lo sviluppo economico dell’Albania).
KONTRATA JOLIGJORE
Nga ana tjetër ministri Haxhinasto nuk heton për anulimin e kontratave për koncesionin e dhënë nga qeveria e kaluar (sikurse është premtuar), përkundrazi, “kërkoi nga kompanitë koncesionare në port, që të respektojnë detyrimet kontraktuale si dhe afatet e tyre të investimeve” (shih” transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-kompanite-koncesionare-ne-port-te-respektojne-detyrimet-kontraktuale). Këtë deklarim ministri e bëri fill pas piu kafe me të tjetrin investitor “gjerman-laçian”, atë të terminalit të trageteve.
Info / Lajmi i vitit 2000
Më 29 janar 2000, Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike i SHBA Z. Thomas R. Pickering, filloi një vizitë treditore në Shqipëri, duke u takuar me Presidentin Rexhep Meidani, Kryeministrin Ilir Meta, ministrin e jashtëm Paskal Milo dhe udhëheqësit e opozitës. Gjatë takimeve, Pickering-u i karakterizoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira, dhe u zotua për mbështetje për zhvillimin e vazhdueshëm dhe integrimin e Shqipërisë në bashkësinë evropiane. Ai përshëndeti hapat që Shqipëria ka marrë për rritjen e sigurisë dhe vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë vendin. Pickering-u theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe e sundimit të ligjit për përmirësim ekonomik, dhe tha se Shqipëria është një vend i rëndësishëm në kuadrin e Paktit të Stabilitetit të Ballkanit. Nënsekretari vizitoi trupat e NATO-s, si dhe portin e Durrësit, një element kyç në planet e zhvillimit të infrastrukturës në Shqipëri [the port of Durres, a key element in Albania’s infrastructure development plans]. Vizita e zotit Pickering në Shqipëri ishte pjesë e udhëtimit të tij në disa vende të rajonit që kishte të bënte me çështje të tregtisë dhe sigurisë (shih: albaniabiz.org/news/feb1000B.html).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





