DURRËS, 7 shkurt 2014 –  Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, siguroi drejtuesit e sipërmarrjeve fasoniste se “përmes një pakete të plotë ligjore, do të kenë mbështetjen e plotë të Qeverisë”, njofton Gëzim Kabashi i ATSH-së. Gjatë një vizite që Ahmetaj zhvilloi më 7 shkurt 2014 në një ndërmarrje konfeksionesh në Spitallë, bisedoi me përfaqësues të fasonistëve të rrethit bregdetar. Pas vizitës, ministri Ahmetaj u shpreh për mediet e pranishme se vendimi i qeverisë, u mundëson bizneseve prodhuese vendase dhe të huaja të marrin hapësira të aseteve publike me qira një euro në vit. Sipas Ahmetajt, kjo është një filozofi për thithjen e investimeve vendase dhe të huaja, pasi ekonomia shqiptare ka shumë nevojë për vende të reja pune. Ahmetaj bëri të ditur se paketa e re ka edhe elementin e rimbursimit automatik të TVSH-së. Ndihma për punonjësit e marrë rishtas në punë, është një element që e kthen atë që në fillim në një të punësuar me kohë të plotë. ATSH-ja thotë se në qarkun e Durrës-Krujë ushtrojnë aktivitetin prodhues më shumë se 100 ndërmarrje fasoniste, ku janë punësuar të paktën 10 mijë persona.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/