· Blutë arrestojnë me… pula në dorë një fshatar nga Manza
DURRËS, 7 shkurt 2014 – Bëjnë sherr në familje, gruaja i vjedh viçin burrit dhe e shet pa lejen e tij, kurse një fshatar nga Borçi i Manzës bën kërdinë në pula. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 6 shkurt 2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për vjedhje për një grua B. R., 59 vjeçe, banuese në një nga komunat e rrethit të Durrësit. Është “gallatë” se bashkëshorti e ka kallëzuar në polici. Ankesa ka qenë disi e rrallë. Burri pretendon se më 3 shkurt 2014, rreth orës 17:15, në kasollen e bagëtive i ishte vjedhur një viç. Nga hetimet që u bënë nga forcat e rendit, doli se kafsha u shit pa dijeninë e tij nga e shoqja, me të cilën nuk ka komunikim të vazhdueshëm për shkak të konflikteve familjare. Ndërkaq më 6 shkurt 2014, ora 23.00, u arrestua me… pula në dorë Shkëlqim B., 29 vjeç, banues në fshatin Borç të bashkisë së Manzës! Blutë thonë dyshohet se 29-vjeçari ka vjedhur një numër shpendësh në banesën e bashkëfshatarit H. P.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





